Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim i fortë tregtar apo marrëdhënie simbolike?
Bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë përkundër trendeve inkurajuese, konsiderohet se ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes këtyre dy vendeve. Me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë afaristëve për një bashkëpunim më të fortë në ekonomi, marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve mbeten simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare import – eksport,…
Lajme
Bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë përkundër trendeve inkurajuese, konsiderohet se ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes këtyre dy vendeve.
Me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë afaristëve për një bashkëpunim më të fortë në ekonomi, marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve mbeten simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare import – eksport, vlerësojnë ekspertë të ekonomisë në Shqipëri dhe Kosovë.
Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, kanë pasur një rritje prej 15 për qind gjatë këtij viti. Krahas bashkëpunimit tregtar, numri i bizneseve të Shqipërisë që operojnë në Kosovë është mbi 2 mijë sosh, ndërsa numri i të punësuarve është mbi 7 mijë shtetasve nga Shqipëria. Autoritetet në Shqipëri nuk janë përgjigjur, për numrin e bizneseve të Kosovës që operojnë atje.
Derisa Shqipëria feston 112-vjetorin e Pavarësisë, ekspertja e ekonomisë në shtetin shqiptar, Teuta Nunaj, statistikat tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë i quan të ndjeshme. Teksa shton se bashkëpunimi i fortë ekonomik në këto dy vende arrihet vetëm përmes zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndër vite nga qeveritë shqiptare për heqjen e barrierave për bizneset.
“Në pesë vitet e fundit marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë pasur një rritje të ndjeshme, por më shumë kjo rritje ka qenë në rritjen e volumit të eksporteve nga ana e Shqipërisë se sa rritja e volumit të eksporteve nga ana e Kosovës në tregun shqiptar. Në pesë muajt e parë të këtij viti, Kosova ka qenë një ndër tre vendet me nivelin më të lartë të eksporteve të Shqipërisë. Dhe kjo ka bërë që volumi tregtar mes të dy vendeve të ketë një rritje të ndjeshme. Por, mundësitë për t’u rritur, zhvilluar janë gjithmonë edhe me tepër, dhe këto mundësi është shumë e rëndësishme që të mbështetën edhe përmes zbatueshmerisë së marrëveshjeve dhe lehtësirave tatimore që të dyja qeveritë duhet të bëjnë ndaj vendeve tona duke i parë si partneritet strategjik dhe jo vetëm përmes kuadrit të politikave që organizon ose realizon BE për t’i mbështetur të dyja vendet brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt procesit të integrimit”, thotë Nunaj.
Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se ka një bashkëpunim të bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë, mirëpo kritikon të dyja qeveritë shqiptare për mungesë të takimeve zyrtare.
Sipas tij, raportet politike mes këtyre dy vendeve do të ndikonin pozitivisht në aspektin ekonomik.
“Në qoftë se shohim bashkëpunimin e bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë ka një rritje. Shqipëria ende në kuadër të vendeve të CEFTA-s prin, që është për t’u vlerësuar, padyshim se a ka hapësirë ka shumë më shumë hapësirë…Po shkojmë tek sektori i turizmit, jemi kombinimi më ideal i mundshëm që mund të kombinohemi, Shqipëria e ka detin, ne e kemi turizmin dimëror, ose kemi malor, dhe kjo kish me qenë një mundësi e artë të cilën nuk jemi duke e shfrytëzuar e që duhet të shfrytëzojmë. Kish qenë mirë me pas një bashkëpunim më të fortë, më të thellë…Mbetet për t’u dëshiruar, ne kemi pas rast të shohim, ka që një apo dy vite që nuk kemi takime të dy qeverive, shpresojmë që këto raporte të përmirësohen”, shton Rafuna.
Ndërsa, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se numri total i bizneseve të Shqipërisë që operojnë në Kosovë është 2 mijë e 197, derisa janë 7mijë e 6 punëtorë nga Shqipëria në tregun e punës në Kosovë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve nga Kosova ka arritur në 277 milionë euro, në rritje vjetore me 46% më 2023.
Ndërsa, sifrat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) tregojnë se deri në fund të vitit 2023, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 371 milionë eurove.
Ndërkaq, për raportet tregtare mes të dyja vendeve ka folur drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu. Ai thotë se ka pasur një rritje të shkëmbimit tregtar me këtë shtet shqiptar për rreth 15 për qind.
“Sa i përket shkëmbimit tregtar me Republikën e Shqipërisë ka pasur një rritje prej 15 për qind gjatë këtij viti. Kur kemi parasysh se vlera është 418 milion e shkëmbimit tregtar i të dy vendeve, ndërsa viti kaluar ka qenë 359 milionë, pra rritja që është shënuar në eksport. Ngjashëm ka pasur edhe rritje me përqindje më të ulët në import tek produkteve të Shqipërisë”, thotë Llugaliu.
Po ashtu nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se në tri vitet e fundit janë rritur këmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Vetëm në vitin 2022 Kosova ka eksportuar për në Shqipëri 110.6 milionë euro, vlerë kjo e cila ka shënuar rritje edhe në vitin 2023, në 112.7 milionë euro, derisa përgjatë këtij viti kjo vlerë ka shkuar në 149.3 milionë euro, eksporte të mallrave nga bizneset e Kosovës.
Në anën tjetër edhe vlera e importit nga ky shtet fqinjë është rritur për periudhën trevjeçare. Përgjatë vitit 2022, Kosova ka importuar nga ky shtet mbi 255 milionë euro, derisa kjo vlerë ka shënuar rritje edhe në vitin 2023, në të cilën ka arritur mbi 326 milionë euro, ndonëse deri më tani përgjatë këtij viti, kjo vlerë është mbi 299 milionë euro.
Autostrada Prishtinë – Durrës, që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka lehtësuar qarkullimin e mallrave nga të dyja anët.