Kosovarët shtojnë ankesat për privatësi e qasje në dokumente publike
Mbi 1 mijë ankesa për mbrojtje të privatësisë dhe qasje në dokumente publike janë bërë të Agjencia e shtetit që merret me këto çështje gjatë 2025-s. Regjistrimi i 1 mijë e 85 ankesave të tilla, që është më shumë se çdo vit tjetër, lidhet me ndërgjegjësimin më të madh të qytetarëve për të drejtat e…
Lajme
Mbi 1 mijë ankesa për mbrojtje të privatësisë dhe qasje në dokumente publike janë bërë të Agjencia e shtetit që merret me këto çështje gjatë 2025-s. Regjistrimi i 1 mijë e 85 ankesave të tilla, që është më shumë se çdo vit tjetër, lidhet me ndërgjegjësimin më të madh të qytetarëve për të drejtat e tyre.
Këtë e konfirmon edhe komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, në një intervistë për KP.
“Ky numër në rritje i ankesave ka ardhur si rezultat i ndërgjegjësimit qytetar për sa i përket të drejtës për qasje në dokumente publike sidomos dhe mbrojtjes së të dhënave personale, për çka sot kemi mbyllur vitin 2025 dhe e kemi bërë raportin të cilin e kemi dorëzuar në kuvend, me 1085 ankesa të dorëzuara nga qytetarët”, ka thënë Sogojeva.
Ndërkohë, një nga çështjet që ka gjeneruar më së shumti ankesa ka qenë marrja e të dhënave personale përmes kamerave të sigurisë, shumica private, dhe mënyra se si ato vendosen nga bizneset apo qytetarët.
“Çështja e marrjes së të dhënave personale përmes kamerave ka qenë një prej bazës së ankesave më të shumta, duke pasur parasysh që edhe është e njohur më lehtë për qytetarin. Në anën tjetër, ka qenë një abuzim total me kamerat nga ana e qytetarëve, duke pasur parasysh që s’ka pasur pothuajse biznes në Kosovë që kamerat i ka të drejtuara nga rruga dhe për fat të keq këto pamje janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren edhe nga Policia e Kosovës si sigurues të rendit dhe qetësisë së të gjithë qytetarëve”, ka shtuar ajo.
Një shqetësim i madh në lidhje me mbrojtjen e privatësisë, sipas komisioneres Sogojeva Demaku është siguria e fëmijëve në internet. Ajo e cilëson si alarmante mungesën e edukimit për veprimet në hapësirën digjitale.
“Mbetet shumë shqetësuese dhe është alarmante çështja e edukimit të fëmijëve në veprimet e tyre në internet.. Mbikëqyrja e platformave të cilat ofrojnë shërbime apo përmbajtje që mund të prekin fëmijët shumë lehtë, ka thënë ajo.
Agjencia, sipas shefes së saj, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj institucioneve që nuk kanë zbatuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe atë për qasjen në dokumente publike, duke mos e kursyer as Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.
Agjencia për Informim dhe Privatësi është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për garantimin e të drejtës së qytetarëve për qasje në dokumente publike në Kosovë.
Ky institucion trajton ankesat e qytetarëve, kryen inspektime dhe mund të shqiptojë masa ndëshkuese ndaj institucioneve publike apo subjekteve private që shkelin dy ligjet që rregullojnë këto fusha.