Kosova vazhdon me FMN

Ministri Besim Beqaj thotë se Kosova po vazhdon me stabilitet makrofiskal i cili, sipas tij, është shembull për rajonin. Qeveria po vazhdon të ketë një bashkëpunim të mirë me FMN’në.

Lajme

17/01/2014 15:06

Ministri i Financave Besim Beqaj thotë se Qeveria e Kosovës vazhdon të bashkëpunojë mirë me misionin e Fondit Ndërkombëtar Monetar, mision ky i cili do ta ndihmojë Kosovën edhe më tutje në mënyrë që të jetë shembull për stabilitetin makrofiskal në vend.

Beqaj në takim me shefin e ri të Misionit të FMN’së për Kosovë Jacques Alian-Miniane, ka thënë se Kosova ka mbyllur një program me FMN’në, gjersa janë në rrugë të mbarë sa i përket diskutimeve për një program tjetër me këtë mision.

“Unë i dëshiroj mirëseardhje Kryesuesit të misionit të FMN’së për Kosovë, mision i cili edhe më tutje do ta ndihmon Kosovën që edhe më tutje të jetë një stabilitet makrofiskal në vend”.

“Ne jemi në diskutime për një program të mirë. Jemi në rrugë të mbarë për programin e ardhshëm të FMN’së”.

Ndërsa, shefi i ri i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë, Jacques Alian-Miniane tha se Kosova ka arritur rezultate të mira nw aspektin makroekonomik dhe fiskal.

“Gjatë tre viteve të kaluara Kosova dhe FMN’ja kanë arritur një rezultat shumë të mirë, në aspektin e stabilitetit makroekonomik dhe fiskal dhe kjo është e arritur sepse të dyja palët kanë punuar me mirëbesim në mënyrë konstruktive dhe sa herë ka pasur ndonjë telash ndonjë mirëkuptim”.

“Kam punuar në shumë vende dhe më besoni, këto marrëdhënie në mes të Kosovës dhe FMN’së janë model, dhe është synim i imi parësor që këto marrëdhënie të vazhdojnë me të njëjtën mënyrë”.

“Adresimet apo çështjet që ngrit qeveria  i marrim shumë seriozisht dhe mezi presim që të fillojë misionin për negocimin e programit të ri në mars” ka thënë Miniane.

Edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës,  Bedri Hamza, tha se gjatë takimeve të ardhshme, Qeveria, BQK dhe institucionet e Kosovës, do të përcaktohen, se cili do të jetë modeli dhe forma e marrëveshjes dhe bashkëpunimit me FMN’në.

“Kosova suksesshëm i ka përmbyllur dy marrëveshje me FMN’në. Sektori financiar vazhdon të jetë stabil. Ka rritje edhe në pjesën e aseteve, depozitave dhe kredive”.

“Normat e interesit janë të larta, mirëpo trendi është në rënie dhe jemi të sigurt që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e suksesshëm me FMN’në”.