“Kosova tregtoi rrymë për sot nga biznesi i Vuk Hamoviqit dhe GEN-I serb” – zbulohen detaje nga Janina Ymeri
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka tregtuar sot energji elektrike nga Mali i Zi përmes marrëveshjeve me kompanitë EFT, në pronësi të biznesmenit serb Vuk Hamoviq, GEN-I me seli në Serbi dhe Elektropriveda Srbije. Tregtimi i energjisë bëhet përmes linjave të tensionit të lartë që lidhin dy sistemet elektro-energjetike të dy vendeve. Në…
Lajme
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka tregtuar sot energji elektrike nga Mali i Zi përmes marrëveshjeve me kompanitë EFT, në pronësi të biznesmenit serb Vuk Hamoviq, GEN-I me seli në Serbi dhe Elektropriveda Srbije.
Tregtimi i energjisë bëhet përmes linjave të tensionit të lartë që lidhin dy sistemet elektro-energjetike të dy vendeve.
Në pikun e ngarkesës, atëherë kur vendi ka më së shumti nevojë për blerje të energjisë, çmimi i bartjes së rrymës ka shkuar në 3,044 euro për orë.
Tregtimi i energjisë është kryer përmes ankandit të martën më 25 nëntor, tregojnë të dhënat nga SEE CAO – një zyrë koordinuese për ankande ndërkufitare në Evropën Juglindore.
Rryma e tregtuar të martën, do të përdoret të mërkurën në Kosovë, pra më 26 nëntor.
Fituesit e ankandeve për bartjen e energjisë nga Mali i Zi në Kosovë, janë kompani serbe dhe sllovene, sipas një njoftimi të Janinë Ymerit, anëtares së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ymeri, në një postim në Facebook të mërkurën, tha se në mesin e fituesve është kompania EFT e biznesmenit serb Vuk Hamoviq.
“Fituesit: EFT biznesi në Zvicër, EFT Kosovë (sepse ZRRE ende nuk i ka pezulluar licencën), Elektroprivreda Srbije AD Beograd, GEN-I, trgovanje in prodaja energije, d.o.o, Interenergo d.o.o. (Kontraktues në Serbi)”, tha Ymeri.
Sipas Ymerit, edhe disa kompani të tjera janë kontraktuar për tregtimin e energjisë nga Mali i Zi në Kosovë të mërkurën, por “asnjë që është krijuar nga Kosova”.