Kosova trajtoi mbi 526 mijë ton mbeturina gjatë vitit 2024 – vetëm 4% u ricikluan

Gjatë vitit 2024, në Kosovë janë trajtuar dhe deponuar gjithsej 526,143 ton mbeturina, që përfaqëson një rritje prej 1.5% krahasuar me një vit më parë (2023), sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në kuadër të Anketës mbi Mbeturinat e Trajtuara (AMT), transmeton lajmi.net. Nga kjo sasi: 502,917 ton mbeturina…

Lajme

14/10/2025 19:20

Gjatë vitit 2024, në Kosovë janë trajtuar dhe deponuar gjithsej 526,143 ton mbeturina, që përfaqëson një rritje prej 1.5% krahasuar me një vit më parë (2023), sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në kuadër të Anketës mbi Mbeturinat e Trajtuara (AMT), transmeton lajmi.net.

Nga kjo sasi:

  • 502,917 ton mbeturina janë deponuar, që përbën 95.6% të totalit,

  • 22,014 ton janë ricikluar, ose 4.2%,

  • ndërsa vetëm 1,212 ton janë sterilizuara (mbeturina medicinale/spitalore), që përfaqësojnë 0.2% të totalit.

Riciklimi mbetet sfidë: Dominon deponimi i mbeturinave

Sipas ASK-së, deponimi vazhdon të jetë forma kryesore e trajtimit të mbeturinave në vend, me përqindje shumë të lartë, ndërsa riciklimi mbetet në nivel minimal. Deponia më e ngarkuar në vend ishte ajo e Mirashit në Prishtinë, ku janë pranuar 190,513 ton, ose 37.9% e të gjitha mbeturinave të deponuara në nivel vendi.

Llojet e mbeturinave më të trajtuara

Nga mbeturinat e trajtuara në vitin 2024, përqindja sipas llojit ishte:

  • 49.8% mbeturina nga letra dhe kartoni,

  • 28.0% nga metalet,

  • 17.0% nga plastika,

  • 5.2% mbeturina medicinale/spitalore.

Rritje edhe në deponimin total

Sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë e licencuara u rrit me 2.6% krahasuar me vitin 2023. ASK thekson se këto të dhëna paraqesin një burim të rëndësishëm për vlerësimin e gjendjes aktuale në menaxhimin e mbeturinave në Kosovë dhe për hartimin e politikave mjedisore në të ardhmen./lajmi.net/