Kosova thotë se dronë të dyshuar nga Serbia kanë fluturuar mbi territorin e saj

Autoritetet kosovare kanë thënë se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshojnë se janë futur nga fqinji verior, Serbia, kohët e fundit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha të premten për media se misioni paqeruajtës i NATO-s në vend, KFOR – është njoftuar për këto shkelje. “Kohën e…

Lajme

26/09/2025 13:10

Autoritetet kosovare kanë thënë se hapësira ajrore e Kosovës është shkelur nga dronë që dyshojnë se janë futur nga fqinji verior, Serbia, kohët e fundit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha të premten për media se misioni paqeruajtës i NATO-s në vend, KFOR – është njoftuar për këto shkelje.

“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, tha Hoxha pas një ceremonie për shkatërrimin e armëve të jashtëligjshme.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

Hoxha tha se futja e dronëve të huaj në hapësirën ajrore të Kosovës “është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu”.

Ai i bëri jehonë deklaratave të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili dy ditë më parë foli për mediumin Koha për dyshimet se dronë nga Serbia janë futur në hapësirën ajrore të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur KFOR-in lidhur me dyshimet për shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.

Autoritetet kosovare e kanë akuzuar vazhdimisht Serbinë se përbën rrezik për sigurinë e saj, posaçërisht pas sulmit të shtatorit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policisë e Kosovës duke e vrarë një rreshter.

Serbia i mohon akuzat.

Këtë javë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara se Beogradi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.

E pyetur në një intervistë për Fox News, nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i “pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here”.

Ajo theksoi se administrata e presidentit Donald Trump ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Muajt e fundit, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë tha Trump?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Më 25 qershor, Trump tha se “gjatë javëve të fundit, u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën, Serbinë. Mendoj se të premten do të kemi vizita nga Kongo dhe Ruanda”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një konference për media në samitin e NATO-s në Hagë.

Më 27 qershor, duke folur në Zyrën Ovale për përpjekjet e administratës së tij për të zgjidhur konflikte të mundshme, Trump tha se: “…në Serbi dhe Kosovë zgjidhëm një katastrofë të mundshme.”

Një ditë më vonë, më 28 qershor, Trump tha se “për vetëm disa muaj, kemi arritur paqe midis Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Iranit, si dhe midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës – dhe disa të tjerë gjithashtu”.

“Serbia, e dini, po përgatitej të shkonte në luftë me një grup. Nuk dua ta përmend, sepse nuk ndodhi – ne arritëm ta ndalnim. Por, kam një mik në Serbi që më tha: ‘Do të hyjmë sërish në luftë’. Dhe nuk dua të them që është Kosova, por është Kosova. Do të niste një luftë e madhe, por ne e ndalëm. E ndalëm për shkak të tregtisë. Ata duan të tregtojnë me Shtetet e Bashkuara. U thashë: ne nuk tregtojmë me ata që hyjnë në luftë”.

Më vonë, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.

Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.