Kosova të falenderon

Kryeministri në detyrë Sali Berisha u takua, me gjasë, për herë të fundit në këtë cilësi, me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi. Vlerësuan lart njëri- tjetrin, e çmuan po ashtu punën e qeverive të udhëhequra prej tyre. Kryeministri shqiptar në largim vlerësoi marrëveshjen që Thaçi ka arritur me homologun e tij serb, Ivica Dacic…

Lajme

06/09/2013 12:52

Kryeministri në detyrë Sali Berisha u takua, me gjasë, për herë të fundit në këtë cilësi, me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi.

Vlerësuan lart njëri- tjetrin, e çmuan po ashtu punën e qeverive të udhëhequra prej tyre.

Kryeministri shqiptar në largim vlerësoi marrëveshjen që Thaçi ka arritur me homologun e tij serb, Ivica Dacic në Bruksel, ndërsa Kryeministri kosovar falënderoi Berishën për ndërtimin e Rrugës së Kombit.

Në konferencën e përbashkët për media, Berisha tha se vlerëson përgjegjshmërinë e treguar nga Kryeministri Thaçi  për një çështje madhore për shqiptarët.

“E përgëzova përzemërsisht për marrëveshjen, apo procesin e Brukselit me të cilin, po hapin një kapitull të ri në drejtim besoj të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe shqiptarëve dhe serbëve.”

“Thaçi ka dëshmuar një shkallë të lartë përgjegjshmërie dhe vendosmëri të madhe që procesi të konkretizohet me sukses. Për shqiptarët marrëveshja e Brukselit e një rëndësie të madhe”.

“Zhvillimet e vendeve tona janë të një trendi pozitiv. Perspektiva Evropiane e Shqipërisë dhe Kosovës është më e avancuar se asnjëherë. Aty shqiptarët do bëhen më të lirë më të mëkëmbur dhe më të sigurtë”.

Kryeministri Thaçi tha se po viziton Tiranën për ta falenderuar mikun e tij Sali Berisha, për bashkëpunimin e shkëlqyer, gjatë mandatit të tij 8 vjeçar në Qeveri.

“Kryeministri Sali Berisha ka bërë një punë të madhe për njohjet e Kosovës”.

“Tani kemi 101 njohje dhe Shqipëria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm”.

“Një falënderim për Kryeministrin Berisha shkon për ndërtimin e rrugës së Kombit, pasi edhe pse deri në orën 11.30 unë isha në Kosovë duke përmbyllur punët dhe axhendën tim, e tani jam në orën 14.00 jam në Tiranë. Unë i kam përjetuar rrugët 12 orëshe, para apo pas luftës, dhe tani rruga Tiranë-Prishtinë bëhet për 2 orë”.