“Kosova sot është më e sigurt”- Nga Lëvizja Vetëvendosje flasin për siguri derisa brenda 48 orëve në vendin tonë u vranë tre persona

Tre persona mbetën të vrarë brenda më pak se 24 orëve, madje në një komunë -atë të Vushtrrisë. Të dielën mbrëma (23 mars) u privua nga jeta një 19-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa të hënën (24 mars) ndodhi një vrasje e dyfishtë, ku një burrë e qëlloi për vdekje një grua e më…

Lajme

25/03/2025 14:07

Tre persona mbetën të vrarë brenda më pak se 24 orëve, madje në një komunë -atë të Vushtrrisë. Të dielën mbrëma (23 mars) u privua nga jeta një 19-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa të hënën (24 mars) ndodhi një vrasje e dyfishtë, ku një burrë e qëlloi për vdekje një grua e më pas bëri vetëvrasje.

Një djalosh rreth 19-vjeçar, Ardit Zymeri u privua nga jeta nga bashkëmoshatari i tij, Bleon Dibrani, në rrugën “Galip Badivuku“ në Vushtrri, të dielën mbrëma.

Të shtënat me armë zjarri që u dëgjuan aktivizuan Policinë për t’u vënë në lëvizje, por në atë rrugë gjetën trupin e pajetë të viktimës, të shtrirë në trotuar.

Viktima menjëherë ishte dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, ku nga ekipi mjekësor atje ishte konfirmuar se viktima ishte pa shenja jete, raporton lajmi.net.

Në atë pjesë, fillimisht nuk u gjet asnjë gjurmë e të dyshuarit Dibrani, i cili tentoi të shpëtojë duke u arratisur, por nuk shkoi gjatë dhe Policia e Kosovës arriti ta lokalizojë vendndodhjen e tij.

Kështu, ndaj të dyshuarit dje është marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji.

“I pandehuri B.D., me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri (3) herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë.
I pandehuri gjatë marrjes në pyetje e ka pranuar kryerjen e veprës penale”,  thuhej ndër të tjerash në njoftimin e Prokurorisë pas rastit.

Ndërkaq, te rasti i dytë i pasdites së 24 marsit 2025, në një nënkalim në fshatin Stanoc të Vushtrrisë, pronari i furrës “Diellza” dyshohet se e vrau ish punëtoren e tij e më pas i dha fund jetës.

Ndonëse motivi i këtij rasti tragjik dhe rrethanat janë ende të paqarta, një familjar i viktimës ka thënë se dyshimet janë për xhelozi, pasi viktima kishte shkuar të punojë në një furrë tjetër.

Para mediave ka folur njëri nga familjarët e gruas së vrarë në Vushtrri, i cili tha se viktima kishte punuar prej shumë vitesh tek i dorasi por kishte ca ditë që e kishte ndërruar vendin e punës.

“Para një kohe kanë qenë punëtore e këtyre me gjithë bashkëshortin por rrethanat se si kanë ardhë deri te vrasja nuk i dijmë as ne si familje. Kërkojmë mirëkuptimin e juaj që familjarët të mos shqetësohen. Gruaja ka qenë rreth të 40-ave, probleme nuk ka pasë. Dhashtë Zoti të jetë viktima e fundit. Sipas një informate xhelozia se përse ke shku te një tjetër vend me punue dhe jo te unë”, ka thënë ai.

Prokuroria në Mitrovicë nuk është lëshuar në detajet e ngjarjes, por që ka bërë të ditur se hetimi ka nisur.

“Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalë prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, njoftoi Prokuroria.

Por sa ka bërë shtetit për sigurinë e qytetarëve, cilat veprime janë ndërmarr? 

Pikërisht sot një ditë pas ndodhive tejet të dhimbshme në Vushtrri, Lëvizja Vetëvendosje publikoi një video, ku përmes saj krenohet me “realizimet” e Qeverisë Kurti II në këto katër vite.

Madje në videon e postuar nga LVV në Facebook thuhet se Kosova në qeverisjen e Kurtit ka investuar në siguri.

Sipas Qeverisë, katër vitet e fundit janë karakterizuar nga arritje të mëdha dhe sfida të shumta, e që sipas tyre Kosova është bërë më e sigurt, më e fortë dhe më e zhvilluar.

“Qeveria Kurti është qeveria e parë në historinë tonë politike që realizon një mandat të plotë. Ky mandat katërvjeçar u shënua nga suksese të rëndësishme dhe sfida të mëdha. Katër vite për Republikën, katër vite që i dhanë shtetit themel të fuqishëm dhe qytetarëve dinjitet. Kosova sot është më e sigurt, më e fortë dhe më e zhvilluar se kurrë më parë, me rend, ligj dhe shpresë në çdo cep të vendit”, thuhet në shkrimin e tyre.

Ata shtuan se zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan punën e mirë të tyre gjatë këtij mandati, duke paralajmëruar edhe një mandat.

“Zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan punën tonë të mirë gjatë këtij mandati. Na presin shumë punë të mira edhe në mandatin e ardhshëm“.

E vrasjet e ndodhura së fundi në Vushtrri nuk janë të vetmet- pasi viti që lamë pas dhe këta muaj ishin shumë të zhurmshëm sa i përket sulmeve fizike, armëve pa leje, vrasjeve e drogave të ndryshme.

Kësisoj derisa “fokusi” i qeverisë Kurti II ishte në veri të vendit, në jug të Kosovës siguria e qytetarëve në shumë raste ishte në pikëpyetje.

Raste  të shumta të dhunës ndodhën edhe në Prishtinë- madje brenda tri ditësh e në të njëjtat lagje.

Të gjitha këto veç e bëjnë edhe më të brishtë sigurinë e qytetarëve të Kosovës.

Kujtojmë se sipas statistikave të publikuara nga Policia e Kosovës, gjatë vitit 2024 kanë ndodhur 17 vrasje, krahasuar me vitin 2023, ku kishin ndodhur 29 vrasje.

Kurse gruaja e vrarë dje është gruaja e 59-të në Kosovë që u vranë nga viti 2010./Lajmi.net/