Kosova, Shqipëria, çështja e Gjykatës Speciale dhe Palestina – çka u tha në mbledhjen e parë të “Bordit të Paqes”?
Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë të ditur se Kosova dhe Shqipëria kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me trupa në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për ruajtjen e paqes në Gaza. Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes, të zhvilluar më 19 shkurt në Uashington, ku…
Lajme
Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë të ditur se Kosova dhe Shqipëria kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me trupa në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për ruajtjen e paqes në Gaza.
Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes së parë të Bordit të Paqes, të zhvilluar më 19 shkurt në Uashington, ku morën pjesë 26 udhëheqës botërorë. Në mesin e tyre ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton lajmi.net.
Trump theksoi se përveç Kosovës dhe Shqipërisë, edhe vende të tjera si Egjipti dhe Jordania kanë ofruar mbështetje për krijimin e një force policore palestineze që ai e përshkroi si “shumë të besueshme”.
Gjatë fjalës së tij, presidenti amerikan falënderoi liderët për pjesëmarrjen dhe përmendi rolin e tij në ndërmjetësimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë edhe afrimin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Ai u ndal veçanërisht te raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Po marr si shembull Kosovën dhe Serbinë. Unë e zgjidha atë. A mund të ngriheni pak në këmbë? Çfarë pune e shkëlqyer. Po shkoni mirë me njëri-tjetrin dhe kur nuk shkoni mirë, më telefononi mua dhe do ta zgjidhim”, deklaroi Trump para të pranishmëve.
Në këtë takim, Rama rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për iniciativat që synojnë stabilizimin e situatës në Gaza, duke theksuar se “viktimat më të pafajshme janë fëmijët”.
Ai ngriti gjithashtu çështjen e Gjykatës Speciale në Hagë, duke iu referuar kërkesës për dënime të gjata ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryeministri shqiptar e cilësoi procesin si të dështuar dhe i bëri thirrje presidentit amerikan për angazhim.
“Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish”, u shpreh Rama.
Në përmbyllje të mbledhjes, Trump zhvilloi takime të ndara me liderët pjesëmarrës, përfshirë Ramën dhe Osmanin, me të cilët bisedoi për disa minuta.
Gjatë forumit u bë e ditur se SHBA do të kontribuojnë me 10 miliardë dollarë për Bordin e Paqes, ndërsa vendet e tjera anëtare kanë premtuar rreth 7 miliardë dollarë, si dhe angazhime konkrete me trupa dhe forca policore për misionin e stabilizimit në Gaza./lajmi.net/