Kosova shënon rënie të rasteve me helmim nga ushqimi këtë vit

Kosova shënon rënie të rasteve me helmim nga ushqimi këtë vit. Kryeinspektori i inspektoratit sanitar të Kosovës, Ibrahim Tërshnjaku lidhur me këtë çështje ka thënë se Kosova qëndron mirë në aspektin e sigurisë së ushqimeve me arsye sanitare. Referuar statistikave, Tërshnjaku theksoi se në vitin 2023 ka pasur më së shumti raste të helmimeve me…

Lajme

19/09/2025 08:31

Kosova shënon rënie të rasteve me helmim nga ushqimi këtë vit. Kryeinspektori i inspektoratit sanitar të Kosovës, Ibrahim Tërshnjaku lidhur me këtë çështje ka thënë se Kosova qëndron mirë në aspektin e sigurisë së ushqimeve me arsye sanitare.

Referuar statistikave, Tërshnjaku theksoi se në vitin 2023 ka pasur më së shumti raste të helmimeve me ushqim me 17 të tilla, në vitin 2024 me 10 raste, kurse këtë vit deri më tani janë regjistruar 8 raste të helmimit.

Lidhur me sigurinë e ushqimit në lokalet e fast food-eve në Kosovë, ai tha se me zbatimin e masave ligjore dhe me vendimet e gjykatave, ato kanë ndikuar që këto lokale të rrisin nivelin e higjienës.

“Për shkak të rritjes së sigurisë së ushqimit në këto subjekte kemi rritur frekuencën e inspektimeve, zbatimin e masave ligjore si dhe vendimet e Gjykatave në favor të kërkesave për kundërvajtje nga Inspektorati Sanitar, kanë ndikuar që subjektet të rrisin nivelin e higjienës, zbatimin e praktikave të mira të punës dhe praktikat e mira higjienike që të parandalohet rasti i helmimeve me ushqim”, tha ai për portalin rtv21.

I pyetur se sa kanë pasur ndikim kontrollet e inspektorëve sanitarë në këto lokale, ai ka thënë se ka rritje të kujdesit nga subjektet e fast food-eve për cilësinë e ushqimit.

“Frekuenca e kontrollit ka ndikim efikas në sigurinë ushqimore duke bërë gjurmushmërin e rasteve të dyshimta si dhe zbatushmëria e legjislacionit në mënyrë efikase e përmirëson nivelin dhe i mban nën kontroll subjektet e gastronomisë, duke ndikuar në ngritjen e vetëdijes së punëtorëve që përgatisin dhe servojn ushqimin të sigurt dhe higjienik në ato subjekte, kjo ndikon që me kushtet higjienike sanitare të mbahen në mënyrë kontinuele në të gjitha fazat e përpunimit e deri te servimi konsumatorit të fundit. Subjektet e fast food-ve kanë krijuar kushte të mira të punës, pajisje adekuate për trajtimin e ushqimit të sigurt, ata zbatojnë praktika të mira higjienike sepse edhe inspektimet e kryera nga Inspektorati Sanitar dhe masat e ndërmarra ligjore e kanë ngritur nivelin e kujdesit për subjektet të cilat operojnë me ushqim”, tha Tërshnjaku.

Tërshnjaku tha se në të gjitha rastet e helmimeve lokalet e fast food-eve apo ushqimeve të shpejta janë mbyllur përkohësisht dhe ndaj të njëjtave ju është shqiptuar gjoba nga Gjykata.
Krejt në fund ai tha se Kosova në raport me vendet e rajonit ka numër më të vogël të rasteve të helmimit me ushqim.