Kosova, Serbia, Interpoli dhe UNESCO – Kush do ta fitojë “luftën”?
Në raportet midis Beogradit dhe Prishtinës çështja më aktuale është anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe UNESCO.

Lajme
Për pranimin e Kosovës në Interpol do të votohet në muajin shtator, kurse për UNESCO ende nuk ka aplikim zyrtar nga ana e Kosovës.
Por, ministri i jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj ditë më parë ka bërë të ditur se kanë punuar vazhdimisht që Kosova të bëhet pjesë e këtyre dy organizatave.
“Gjatë vitit të kaluar dhe sivjet kam vizituar shumë vende, me ç’rast kam takuar shumë ministra të jashtëm, kryeministra dhe presidentë, prej të cilëve kam kërkuar mbështetjen e tyre për t’u bërë pjesë e Interpolit dhe UNESCO-s. Në Interpol e kemi aplikimin nga viti i kaluar, ndërsa sivjet mbahet Asambleja e Interpolit, e cila do të duhej të merrte vendim për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Sa i përket UNESCO-s, sikurse te Interpoli, i kemi votat e nevojshme që të bëhemi pjesë e kësaj organizate. Ndërsa, koha për aplikim është e mjaftueshme, meqë nga muaji shtator, tetor dhe nëntor, ndodhin fazat vendimtare kur aplikimi i ynë vendoset në agjendë, pra kur mbahet takimi përmbyllës dhe kur votohet. Kështu që, kemi kohë të mjaftueshme për të aplikuar”, kishte thënë Hoxhaj.
Sipas tij, më mirë është që aplikimi të mbetet konfiedencial, dhe të mos kuptohet deri në momentin e mbajtjes së mbledhjes.
Homologu serb i Hoxhajt, Ivica Daçiq ka thënë se për Interpol, shteti i Kosovës ka gjasa reale që të anëtarësohet, por është shprehur i bindur se në UNESCO nuk do të ndodhë një gjë e tillë.
“Situata për pranimin e Kosovës në Interpol është më e komplikuar se në UNESCO”, ka thënë Daçiq, transmeton lajmi.net.
Sot gjatë ditës, për rrugën e Kosovës në UNESCO ka folur edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili është shprehur i bindur se ka përkrahjen e disa shteteve që shteti kosovar të mos anëtarësohet në këtë organizatë.
“Po t’i shihnit letrat që na vijnë nga vendet tona mike, gjoja nga shkencëtarë, të cilët sqarojnë se pse do të ishte mirë që Kosova të pranohet në UNESCO, që të mbrohet trashëgimia kulturore serbe… nuk e dini se a duhet qeshur nga mundimi apo të qani..”, tha Vuçiq para gazetarëve.
Ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni kohë më parë ka pranuar një letër nga sekretari i INTERPOL-it, nga i cili është njoftuar se votimi për Kosovën do të bëhet në Asamblenë e Përgjithshme e cila mbahet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017.
Ai është shprehur i bindur se Kosova do të marrë votat e nevojshme që të bëhet pjesë e organziatës më të madhe të policisë në botë.
Nga mediat serbe, anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe Unesco, po cilësohet si një “luftë” e dytë, pas dështimit që Kosova pati në vitin 2015.
Aso kohe, shteti të Kosovës i nevojiteshin vetëm tri votat që të pranohej në këtë organizatë, ndër më të mëdhatë në kuadër të OKB-së. /Lajmi.net/