Kosova rrezikon të përjetojë krizën greke

Halim Gjergjizi mendon se me premtime e Kryeministrit Hashim Thaçi si Fondi për Zhvillim dhe Punësim, Kosova rrezikon të përjetojë një krizë si shteti i Greqisë. Për Ibrahim Rexhepin, shqetësuese në Kosovë është rritja e vazhdueshme e borxhit publik.

Lajme

07/04/2014 07:32

 

Njohës të çështjeve ekonomike kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me borxhin publik të Kosovës. Shqetësuese akoma më shumë janë edhe premtimet elektorale të fundit. Premtimi se Fondi për Zhvillim dhe Punësim në vlerë prej 1 miliardë eurosh, dhënë nga Kryeministri Thaçi duket si më i rrezikshmi.

Për këtë fond është thënë se do të përdoren paratë e ngrira të privatizimit apo dhe kontributet pensionale.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Halim Gjergjizi thotë se fonde të tilla rrezikojnë që Kosova të përjetojë një krizë të ngjashme si ajo e shtetit të Greqisë.

“Premtimet e kryeministrit për fonde të tilla nuk janë në proporcion me nivelin e zhvillimit ekonomik dhe rrezikojnë që Kosovën ta fusin në një krizë të ngjashme si ajo e Greqisë”, tha ai për gazetën Tribuna.

Ndërkaq, drejtori i Stras, Ibrahim Rexhepi thotë se anipse Kosova qëndron më mirë në rajon sa i përket borxhit publik, ajo çka ai përmend është rritja e saj.

Ai thotë se që nga viti 2009 deri në këtë vit borxhi publik i Kosovës vetëm se është rritur.

“Në Kosovë është paksa shqetësuese fakti se borxhi publik është në rritje. Ta zëmë në vitin 2009 ai merrte 6,5 përqind të BPV-së, ndërsa tash është 90 përqind më i lartë”.

“Ai do të rritet edhe më tutje, ndërsa mund të hyjë në një fazë të rrezikshme, po qe se ideja e kryeministrit për fondin për zhvillim-realizohet duke huazuar paratë-pa marrë parasysh se ajo janë nga privatizimi, apo si kursim për pensione”, ka thënë Rexhepi për Tribuna.