Kosova rreshtohet krah Ukrainës në 35-vjetorin e Pavarësisë, BE-ja kërkon më shumë mbështetje për Kievin
Në Europe House në Prishtinë është shënuar 35-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës, në një ceremoni ku u përcollën mesazhe të forta solidariteti dhe mbështetjeje për popullin ukrainas, katër vjet e gjysmë pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ngjarja u organizua nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Shoqata Ukrainase e Kosovës – “Urat e…
Lajme
Në Europe House në Prishtinë është shënuar 35-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës, në një ceremoni ku u përcollën mesazhe të forta solidariteti dhe mbështetjeje për popullin ukrainas, katër vjet e gjysmë pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ngjarja u organizua nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Shoqata Ukrainase e Kosovës – “Urat e Miqësisë”, ndërsa morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trupit diplomatik, mediave dhe shoqërisë civile.
Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se qëndrueshmëria dhe guximi i ukrainasve kanë rëndësi përtej kufijve të Ukrainës.
“Ukrainasit, me guximin dhe qëndrueshmërinë e tyre, nuk po mbrojnë vetëm vendin e tyre, por edhe Evropën”, tha Palatova.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën në aspektin politik, financiar, humanitar, ushtarak dhe diplomatik, përfshirë edhe mbështetjen për rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Palatova falënderoi Kosovën për solidaritetin e treguar ndaj Ukrainës dhe për përafrimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Ajo i bëri thirrje Kosovës që ta forcojë edhe më tej mbështetjen për Ukrainën, veçanërisht në fushën e energjisë.
Në këtë ngjarje u rikujtua edhe mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën ndër vite. Sipas Palatovës, BE-ja ka ofruar 3.7 miliardë euro ndihmë financiare për Kosovën që nga viti 1999.
“Synimi ynë është që si Kosova, ashtu edhe Ukraina, të zënë vendin e tyre në Bashkimin Evropian”, u shpreh Palatova.
Shënimi i përvjetorit të Pavarësisë së Ukrainës në Prishtinë u shoqërua me mesazhe solidariteti, miqësie dhe mbështetjeje për popullin ukrainas, ndërsa u theksua rëndësia e një Evrope të bashkuar dhe të sigurt. /Lajmi.net/