Kosova prodhon 200 mijë litra qumësht në ditë

10:24 | 2 Korrik 2014

Kosova vazhdon që të importojë rreth 35-40 përqind të produkteve të qumështit, ndërsa vet prodhon rreth 200 mijë litra qumësht në ditë.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), Milazim Berisha ka thënë për “Kosova Sot” ka thënë se sektori i prodhimit të qumështit është njëri ndër sektorët më prodhues në Kosovë që nga paslufta.

“Bizneset me investimet e tyre dhe me përkrahjen e granteve, subvencioneve nga MBRZHR, KE, BB, kanë rritë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese. Po ashtu janë bërë investime të mëdha të rritjes stë cilësisë dhe sasisë”.

“Sot kemi një numër të madh të qumështoreve, të cilat janë certifikuar me standarde më të larta për cilësi dhe siguri, të certifikuara kryesisht nga kompani të licencuara evropiane”, thotë ai.

Sipas Berishës, llogaritet që afërsisht konsumi ditor në Kosovë të jetë rreth 450 mijë litra qumësht dhe nënprodukte të saj, ndërsa në qumështoret e Kosovës prodhohen diku 200 mijë litra në ditë. Ai thotë se shumica e importit të produkteve të qumështit vjen nga Maqedonia por dhe nga shtetet e rajonit, ndërsa prodhuesit kosovarë produktet e tyre ose i shesin tek të afërmit e tyre, ose në tregun e gjelbër.

Konkurrenca e madhe me hyrjen e prodhuesve të huaj në tregun e Kosovës sipas Berishës, e kanë shndërruar Kosovën në një treg “eksperimental”.

“Edhe shtetet shumë të zhvilluara(Gjermani, Francë etj) kanë hartuar dhe aplikojnë tani politika të reja mbrojtëse për produktet e tyre. Ndërsa, Kosova është shndërruar në një treg eksperimental ku gjithçka mund të plasohet”, ka thënë ai, shkruan “Kosova Sot”.