Kosova pranon mijëra dronë kamikazë, Vuçiq kritikon Turqinë: Ata nuk dëshirojnë stabilitet në Ballkanin Perëndimor

Kosova ka pranuar të mërkurën kontejnerët “me mijëra dronë” luftarakë kamikazë, Skydagger, njoftoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Kurti tha në Facebook se dronët kanë mbërritur para afatit të paparaparë kohor dhe se dhjetëra ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre. Por lidhur me këtë ka reaguar…

Lajme

08/10/2025 19:55

Kosova ka pranuar të mërkurën kontejnerët “me mijëra dronë” luftarakë kamikazë, Skydagger, njoftoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kurti tha në Facebook se dronët kanë mbërritur para afatit të paparaparë kohor dhe se dhjetëra ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.

Por lidhur me këtë ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiq e ka kritikuar Turqinë, duke thënë se është i tmerruar nga sjellja e këtij vendi dhe ka konsideruar se ai e ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, ka thënë presidenti serb përmes një postimi në X.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar autoriteteve turke për koment dhe është në pritje të përgjigjes.

Skydagger RTF është dron “i gatshëm për fluturim”, shpesh edhe dron luftarak, i pajisur me një mjet shpërthyes për përdorim kundër shënjestrave të palëvizshme dhe të lëvizshme, megjithëse ka edhe aplikime profesionale si vëzhgimi dhe kërkim-shpëtimi.

RTF nënkupton se droni është plotësisht i montuar dhe përfshin të gjitha komponentët e nevojshëm, si vetë droni, një transmetues radioje, një marrës dhe bateritë, duke e bërë atë të gatshëm menjëherë për fluturim sapo të blihet.

Ky dron mund të fluturojë me një shpejtësi maksimale prej 130kmh në largësi maksimale deri në 10 kilometra.