Kosova pranon humbjen, uron Veliajn

Kandidati i djathtë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova ka bërë këtë të martë deklaratën e parë pas numërimit të pjesës dërrmuese të votave, që i japin fitoren e padiskutueshme rivalit të tij, nga koalicioni i kryesuar nga Partia Socialiste, Erjon Veliajt.

Lajme

23/06/2015 15:05

Në fjalën e tij, Kosova ka falënderuar stafin e fushatës për mbështetjen, ndërsa nuk ka ngurruar të urojë kandidatin fitues.

“Falënderoj ata të rinj e të reja që vajtën derë më derë në shtëpitë e qytetarëve. Falënderoj ekipin tim të fushatës që punoi me përkushtim. Uroj Erjon Veliajn për fitoren dhe shpresoj se ai do t’i mbajë premtimet e bëra”, ka thënë Kosova.

Ai ka ftuar numëruesit e opozitës që të vijojnë punën me përkushtim, pasi procesi i numërimit vazhdon me kandidatët e këshillit bashkiak.

Më tej, zoti Kosova u ka premtuar qytetarëve të Tiranës, se angazhimi i tij në shërbim të interesave të tyre do të vazhdojë.

Top Channel