“Kosova po humbet kohë të rëndësishme dhe dëmton veten politikisht e ekonomikisht” – Ambasada gjermane e sheh me shqetësim ngërçin në Kuvend

Në kohën kur vendet e rajonit po përshpejtojnë hapat drejt integrimit evropian dhe po përfitojnë nga mundësitë që ofron Plani i Rritjes së BE-së, Kosova po përballet me një situatë të pazakontë që partitë politike nuk po merren vesh për formimin e institucioneve. Mungesa e një Kuvendi funksional, pas zgjedhjeve të mbajtura gati gjashtë muaj…

Lajme

15/07/2025 17:45

Në kohën kur vendet e rajonit po përshpejtojnë hapat drejt integrimit evropian dhe po përfitojnë nga mundësitë që ofron Plani i Rritjes së BE-së, Kosova po përballet me një situatë të pazakontë që partitë politike nuk po merren vesh për formimin e institucioneve.

Mungesa e një Kuvendi funksional, pas zgjedhjeve të mbajtura gati gjashtë muaj më parë, ka krijuar një situatë të mjegulluar politike.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj për pasojat që kjo krizë po shkakton në funksionimin e institucioneve dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Në një përgjigje dhënë sot për Lajmi.net, Ambasada nënvizon se vendi po humbet kohë të çmuar dhe rrezikon të izolohet nga proceset zhvillimore në rajon dhe më gjerë.

“Duke dështuar në konstituimin e Kuvendit, vullneti i popullit të Kosovës, siç u shpreh në zgjedhje, nuk po zbatohet për gati gjashtë muaj. Kjo është kryesisht e padrejtë për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, pasi vendime të rëndësishme nuk po merren dhe zbatimi i tyre po vonohet pa nevojë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës për Lajmi.net

Ambasada shprehet e shqetësuar edhe për pasojat afatgjata që po sjell kjo bllokadë institucionale në proceset integruese dhe zhvillimore të vendit.

“Në të njëjtën kohë, Kosova, në një farë mënyre, po humbet rrugën. Ndërsa vendet e tjera fqinje po vazhdojnë me planin e rritjes së BE-së dhe po ndërmarrin hapat e ardhshëm për shpërndarjen e fondeve, Kosova është në rrezik të menjëhershëm të mbetet prapa”, thuhet tutje në përgjigje e zyrtarit të Ambasadës së Gjermanisë për lajmi.net

Ambasada thekson se megjithëse BE ka tashmë një ekip të ri drejtues – përfshirë Komisionerin për Zgjerim, Përfaqësuesin e Lartë dhe Përfaqësuesin Special për Dialogun – të gjithë nga vende që e njohin Kosovën, vendi ende nuk po arrin të përfitojë për shkak të paralizës politike.

“Tani ‘ekipi i ëndrrave’ i ri nga ana e BE-së është në detyrë, por Kosova vazhdon të jetë e paralizuar politikisht. Në fund të fundit, Kosova po humbet kohë të rëndësishme çdo ditë dhe po dëmton veten politikisht dhe ekonomikisht, gjë që në mënyrë të pashmangshme zvogëlon rëndësinë e saj.”

Ambasada Gjermane bën thirrje për përgjegjësi politike dhe zgjidhje të shpejtë të ngërçit, ku thotë se shumë kohë dhe energji është shpenzuar kot.

“Kosova nuk mund ta lejojë këtë ngërç të zgjatet edhe për gjashtë muaj të tjerë. Shumë kohë dhe energji është shpenzuar kot. Zgjidhja më e mirë do të ishte që parlamentarët e zgjedhur dhe udhëheqësit e partive të bashkoheshin më në fund në një frymë kompromisi dhe të gjenin një rrugë përpara duke vënë vendin dhe qytetarët e tij në radhë të parë”, thuhet në përgjigje.

Kjo deklaratë nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë vjen në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 47-të të konstituohet, duke thelluar më tej krizën institucionale në vend./Lajmi.net/