Të Infektuar: 39.057

Të Shëruar: 24.427

Të Vdekur: 1.005

Kosova përzgjedh filmin “Exil” për nominimet e “Oscars 2021”

15:20 | 10 Tetor 2020

“Exil”, është zgjedhur për garën ndërkombëtare të filmave artistik “Oscars”.

Kosova ka zgjedhur “Exil” të Visar Morinës si hyrjen e saj zyrtare në kategorinë e Filmit Artistik Ndërkombëtar të edicionit të 93-të të çmimeve të Akademisë, ndërsa Gjeorgjia ka zgjedhur “Beginning” të Dea Kulumbegashvili, shkruan Variety, transmeton lajmi.net.

“Exil” pati premierën e tij botërore në Festivalin e Filmit Sundance në Konkurrencën Dramatike të Kinemasë Botërore dhe gjithashtu u shfaq në Berlinale si pjesë e seksionit Panorama.

Filmi fitoi çmimin kryesor të Festivalit të Filmit të Sarajevës.

Filmi përqendrohte tek Xhaferi (rol i luajtur nga Misel Maticevic), një mërgimtar kosovar në Gjermani, i cili e gjen veten si subjekt të ngacmimit të pamëshirshëm ksenofobik.

Sandra Hüller, ylli i “Toni Erdmann”, luan gruan e tij gjermane, e cila ngadalë distancohet nga ajo që ajo e percepton si paranojë e tij.

Në rishikimin e tij për “Variety”, Guy Lodge e përshkruan filmin si “me dhimbje të saktë në dramatizimin e përvojave të qeta të ksenofobisë (Xhafer) në baza ditore, edhe kur mundësia në rritje e paranojës anon këndvështrimin e saj”.

Në një deklaratë, komiteti i përzgjedhjes kosovare tha se filmi është një “portret i mprehtë i brezit tashmë të integruar të emigrantëve, një gjeneratë që rrallë e shohim në film, të cilët megjithë arritjet personale vështirë se lirohen nga ndjenja e të qenit i huaj”.

Ai shtoi: “Ne konsiderojmë që filmi flet në një mënyrë universale, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë ata që largohen nga vendlindjet e tyre për të gjetur qytete të reja të cilat kurrë nuk u bënë shtëpitë e tyre. ‘Exil’ shtyn për një dialog në lidhje me politikën e mikpritjes, një dialog që ka munguar për një kohë të gjatë. ”

“Exil” është një bashkëprodhim midis Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës, prodhuar nga Komplizen Film, Ikonë Studio dhe Frakas, me shitje ndërkombëtare nga The Match Factory.

Ky njëherësh është filmi i dytë nga Morina që përfaqëson Kosovën në “Oscars”, pas “Babai” më 2016.

Ceremonia e 93-të e ndarjes së çmimeve “Oscars” do të zhvillohet më 25 prill 2021. /Lajmi.net/