Kosova përgatitet kundër sëmundjes nga virusi ebola

Pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë ndërkombëtare kundër virusit ebola, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka ngritur shkallën e gatishmërisë në rast të shfaqjes së rasteve të kësaj sëmundje vdekjeprurëse.

Lajme

14/08/2014 19:00

Zyrtarë në këtë institut kanë thënë se kujdesi në parandalimin e sëmundjes është shtuar dhe se nuk ka nevojë për panik, duke e ditur se virusi nuk po përhapet përmes ajrit, por me kontakt direkt me lëngjet e trupit të personit të infektuar apo të kafshës së infektuar.

Virusi vdekjeprurës ebola nuk paraqet ende rrezik për Kosovën, tha drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

“Shumë pak udhëtarë mund të jenë të involvuar në shtete endemike të Afrikës, aty ku e ka burimin virusi ebola. Por, ne, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në aeroporte dhe institucione shëndetësore i kemi marrë masat që të intensifikohen kontrollet dhe të trajtohen në aspektin shëndetësor në qoftë se ka ndonjë qytetar të infektuar. Por, ne ju rekomandojnë qytetarëve që të mos udhëtojnë në ato vende derisa të mos kalojë epidemia”, tha ai.

Faik Hoti,drejtor i departamentit për informim në MSH, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kjo ministri tashmë është e përgatitur për t’u përballur me situatën në rast nevoje.

“Ajo që tash për tash mund të thuhet është se Kosova ka një përgatitje të mirë për ballafaqim me sëmundje ngjitëse, pasi që kemi pasur përvoja për menaxhimin e situatave, si me gripin e derrit, apo ethet hemorragjike, me të cilën ballafaqohemi çdo vit”,deklaroi Hoti.

Virusi vdekjeprurës ebola shkakton një temperaturë të lartë, të vjella, dhe gjakderdhje, kurse vështirësia më e madhe për identifikimin e tij është periudha e gjatë e inkubacionit prej 21 ditësh.

Tashmë, OBSH-ja ka autorizuar përdorimin e një ilaçi eksperimental për të luftuar virusin vdekjeprurës që deri më tash ka vrarë mbi 1,000 persona.