Kosova ngjitet në pozitën më të mirë historike në ranglistën e FIFA-s

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra ka shënuar një ngritje të jashtëzakonshme në ranglistën e FIFA, duke regjistruar rritjen më të madhe të pikëve në nivel global për këtë periudhë. Falë fitoreve ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë, si dhe dy triumfeve radhazi ndaj Bullgarisë, Kosova ka grumbulluar plot 58.33 pikë duke e pasur rritjen më…

Sport

21/04/2026 12:22

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll për femra ka shënuar një ngritje të jashtëzakonshme në ranglistën e FIFA, duke regjistruar rritjen më të madhe të pikëve në nivel global për këtë periudhë.

Falë fitoreve ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë, si dhe dy triumfeve radhazi ndaj Bullgarisë, Kosova ka grumbulluar plot 58.33 pikë duke e pasur rritjen më të lartë nga të gjitha përfaqësueset që prej publikimit të fundit të renditjes më 11 dhjetor 2025.

Në ranglistën e re të publikuar të martën nga FIFA, Kosova renditet në pozitën e 81-të, duke u ngjitur për 11 vende krahasuar me renditjen paraprake. Kjo është njëkohësisht pozita më e mirë historike për “Dardanet”.

Të gjitha këto rezultate pozitive janë arritur në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, duke dëshmuar formën në rritje dhe progresin e vazhdueshëm të përfaqësueses.

Deri më tani, pozita më e mirë e Kosovës kishte qenë ajo e 91-të, e arritur në mars të vitit 2024, ndërsa më e dobëta ishte vendi i 126-të. Mesatarja e renditjes së Kosovës ndër vite ka qenë pozita e 108-të.