Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në Konferencën e 62-të të Sigurisë në Mynih, e cila do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt në Gjermani. Në këtë forum prestigjioz ndërkombëtar pritet të mblidhen qindra udhëheqës botërorë, përfaqësues të lartë shtetërorë, diplomatë, ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti do ta përfaqësojë Kosovën në diskutimet që do të zhvillohen rreth sfidave globale të sigurisë, me theks të veçantë në zhvillimet në Evropë, luftën në Ukrainë, stabilitetin rajonal dhe të ardhmen e bashkëpunimit transatlantik. Pjesëmarrja e tij në këtë konferencë vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë evropiane dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Mynih, Kurti pritet të zhvillojë takime bilaterale me liderë dhe përfaqësues të shteteve partnere, me fokus thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, avancimin e integrimit evropian të Kosovës dhe forcimin e partneritetit strategjik me aleatët perëndimorë.
Konferenca e Sigurisë në Mynih konsiderohet një nga forumet më të rëndësishme globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, ku diskutohen zhvillimet më të fundit gjeopolitike dhe sfidat që prekin rendin ndërkombëtar. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje shënon vazhdimësinë e angazhimit të saj në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjet për të forcuar subjektivitetin dhe rolin e saj në proceset globale. /Lajmi.net/