“Kosova në bllokadë”, Koci i kërkon Kurtit të marrë përgjegjësi si lider
Avokati i njohur, Arianit Koci, ka reaguar me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar situatën aktuale politike në vend si një “bllokadë totale institucionale”. Në postimin e tij, Koci i bën thirrje Kurtit që të tregojë lidership, të dalë nga pozicionet…

Lajme
Avokati i njohur, Arianit Koci, ka reaguar me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar situatën aktuale politike në vend si një “bllokadë totale institucionale”.
Në postimin e tij, Koci i bën thirrje Kurtit që të tregojë lidership, të dalë nga pozicionet e ngurta dhe të ndërmarrë hapa konkretë për zhbllokimin e institucioneve të vendit, me theks të veçantë në procesin e zgjedhjes së Kryeparlamentarit, që ka dështuar në 17 tentativa të njëpasnjëshme.
“Nuk është më krizë politike – është bllokadë totale. Institucionet janë ngrirë. Askush nuk po merr përgjegjësi. Askush nuk po lëviz”, shkruan Koci.
Ai i kujton Kurtit se partia që ai udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë mandatin më të fuqishëm ndonjëherë në historinë politike të Kosovës, bazuar në besimin e qytetarëve për ndryshim dhe qeverisje me maturi.
“Je votuar sepse njerëzit besuan në ty… Por pritjet nuk mund të shtyhen pafund. Rezultatet duhen tani”, thekson ai.
Koci e quan qasjen aktuale të Kurtit “gabim”, duke e ftuar që të marrë rolin e një lideri gjithëpërfshirës që kërkon dialog, bashkëpunim dhe zgjidhje, pa e shkelur parimin politik por duke treguar vullnet për kompromis institucional.
“Gabim je në qasjen aktuale. Dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo bllokadë është të tregosh se je i gatshëm të bëhesh faktor i unitetit”, shkruan ai, duke shtuar se “populli nuk pret më justifikime – pret zgjidhje”.
Avokati shton se bllokimi i zgjatur po ndikon negativisht edhe në mbështetjen elektorale të Vetëvendosjes, duke përmendur rënie të besimit dhe pakënaqësi në terren.
“Beso – ky bllokim i zgjatur po të kushton shumë në bazën elektorale. Ka pakënaqësi. Ka zhgënjim. Ka rënie të besimit. Dhe ajo nuk rikthehet lehtë”, paralajmëron Koci.
Koci kërkon nga Kurti që të veprojë me guxim dhe përgjegjësi për ta nxjerrë vendin nga ngërçi aktual politik.