Kosova në bllokadë institucionale dhe krizë ekonomike – Opozita paralajmëron pasoja serioze për vendin
Kosova po përballet me një situatë të rëndë politike dhe ekonomike, ndërsa bllokada institucionale po vazhdon për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ndalon çdo veprim për krijimin e institucioneve të reja deri më 30 shtator. Përfaqësues të opozitës kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me gjendjen e vendit, duke e cilësuar këtë fazë si…

Lajme
Kosova po përballet me një situatë të rëndë politike dhe ekonomike, ndërsa bllokada institucionale po vazhdon për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ndalon çdo veprim për krijimin e institucioneve të reja deri më 30 shtator.
Përfaqësues të opozitës kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me gjendjen e vendit, duke e cilësuar këtë fazë si një prej më të vështirave që nga paslufta, raporton lajmi.net
Ata kanë kritikuar qeverinë për mungesë të vizionit dhe keqmenaxhim të situatës, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka paralajmëruar se Kosova po rrëshqet drejt një krize të thellë ekonomike, me rritje të ndjeshme të inflacionit.
“Sipas ASK-së norma e inflacionit është 4.3%, ndërsa për shportën bazë të konsumit inflacioni arrin në numra dyshifrore, deficiti tregtar po thellohet me shifra frikësuese, investimet kapitale të nivelit qendror janë më të ulëtat në histori e institucionet financiare janë në mungesë të thellë likuiditeti. Në të njëjtën kohë, energjia elektrike për bizneset më vitale në vend është 300% më e shtrenjtë. Thënë më thjeshtë, çmimet po rriten çdo ditë, importojmë pothuajse çdo gjë që konsumojmë, qeveria nuk investon para në ekonomi dhe secila familje sot është në kredi. Ndërkohë, atë pak ekonomi që kishim po shkatërrohet, sepse po sakrifikohet prodhimi vendor për të favorizuar tregtarët e energjisë, të cilët tashmë edhe me emra shihet se janë njerëz të afërt me Albin Kurtin”, ka shkruar ajo.
Ajo ka akuzuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim, favorizim të tregtarëve të energjisë dhe shkatërrim të prodhimit vendor, ndërkohë që çdo familje në vend përballet me barrën e kredive dhe rritjes së kostos së jetesës.
“Politika korruptive e Albin Kurtit arriti ta faktorizojnë Listën Serbe, duke e bërë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë krejtësisht të parëndësishme në Kryesinë e Kuvendit. Rrallë kush e di se kush ka qenë nënkryetar Listës Serbe në kryesinë e Kuvendit prej se ekziston ky institucion. Por është fakt se me Albinin në qeveri kjo parti ka 9 deputetë në Kuvendin e Republikës, pavarësisht akuzave që askush nuk i mohon institucionet e udhëhequra nga Albin Kurti dhe njerëzit e tij kanë miratuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit. Qytetarët duhet të dinë se secila sfidë e tyre si: çmimi i lartë i ushqimit, faturat e fryra të energjisë, pagat e zhvlerësuara, vështirësitë për sigurimin e librave shkollorë, mungesa e barnave në spitale dhe mungesa e perspektivës ka një adresë. Kjo adresë është Qeveria, e cila po i bën 5 vite në pushtet dhe përveç korrupsionit galopant nuk mbahet mend të ketë sjellë ndonjë dobi për vendin. Shkatërruesit dhe bllokuesit e kanë fundin afër!”, ka shkruar ajo.
Në anën tjetër deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që bllokon themelimin e institucioneve të reja, duke e cilësuar situatën si bllokadë e shtetit për një pozitë pa peshë e ndikim real.
“Shteti sërish i bllokuar për një pozitë që s’ka as peshë, as ndikim. Populizmi dhe mungesa e përgjegjësisë po i kushtojnë vendit edhe 30 ditë pa funksionim. Kush nuk di të qeverisë, bën teatër me institucione. Republika nuk është lodër për interesa partiake”, tha ajo.
Sipas saj, qeverisja aktuale po e shndërron Republikën në lodër për interesa partiake, ndërsa mungesa e një Kuvendi funksional po e çon vendin drejt autoritarizmit dhe paralizës institucionale.
“Qytetarët nuk votuan për një kuvend të heshtur, për deputetë që s’kanë më as emër e as zë. Ata votuan për përfaqësim, për ndryshim dhe për përgjegjësi. Pa Kuvend funksional, nuk ka demokraci, ka vetëm qeveri autoritare me mungesë totale të legjitimitetit ligjor e moral. Kosova po kalon ditet me te veshtira te saj”, përfundoi Musliu për GazetaBlic./Lajmi.net/