Kosova ndërpret progresin në luftën kundër korrupsionit, KDI paralajmëron përpasiguri institucionale

Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, i cili mat perceptimin e korrupsionit në 182 shtete të botës. Kosova ka shënuar 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76-të, duke regjistruar një rënie prej një pike krahasuar me vitin e kaluar. Ky rezultat ndërpret trendin gradual të përmirësimit…

Lajme

10/02/2026 10:11

Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2025, i cili mat perceptimin e korrupsionit në 182 shtete të botës. Kosova ka shënuar 43 pikë dhe është renditur në vendin e 76-të, duke regjistruar një rënie prej një pike krahasuar me vitin e kaluar. Ky rezultat ndërpret trendin gradual të përmirësimit të luftës kundër korrupsionit që vendi kishte shënuar për rreth një dekadë.

Sipas analizës së KDI, stagnimi lidhet drejtpërdrejt me krizën politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, e cila bllokoi funksionimin normal të institucioneve dhe pengoi zbatimin e reformave anti-korrupsion. Për herë të parë, qeveria në një mandat të plotë nuk arriti të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit, ndërsa viti 2025 përfundoi pa dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, çka dobësoi funksionimin e sistemit prokurorial dhe krijoi pasiguri institucionale.

Edhe pse viti 2025 u karakterizua nga hetime dhe aktakuza ndaj disa zyrtarëve të lartë, përfshirë rastin “rezervat shtetërore”, nuk ka pasur ende aktgjykime përfundimtare për korrupsion të nivelit të lartë. Kjo ka krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë dhe ka ulur besimin publik në efektivitetin e luftës kundër korrupsionit.

Reformat në sistemin e drejtësisë u paralizuan, pasi Kuvendi nuk funksiononte normalisht dhe disa ligje kyçe, përfshirë atë për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, mbetën të pazbatuara deri në janar 2026. Edhe reforma në Këshillin Prokurorial u pengua nga rezistenca e brendshme e strukturave të vjetra.

KDI nënvizon se kriza politike dhe mungesa e institucioneve funksionale ndikuan gjithashtu në prokurimin publik, shpenzimin e parasë publike dhe presion ndaj mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, duke dobësuar kontrollin demokratik mbi pushtetin.

Në rajon, Kosova renditet e dyta sipas pikëve pas Malit të Zi (46), ndërsa Maqedonia e Veriut ka 40, Shqipëria 39, Bosnja 34 dhe Serbia 33. Megjithatë, rënia e këtij viti e vendos Kosovën në një fazë stagnimi, ndërkohë që rajoni përballet me sfida të ngjashme në forcimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave.

KDI kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e re të veprojnë menjëherë për rikthimin e funksionimit normal të shtetit, përfshirë miratimin e strategjisë kundër korrupsionit, finalizimin e reformave në drejtësi, rivendosjen e ndëshkueshmërisë reale për korrupsionin e nivelit të lartë dhe forcimin e transparencës në përdorimin e fondeve publike.

Pa këto hapa konkretë, çdo përpjekje për luftë kundër korrupsionit rrezikon të mbetet deklarative dhe të shndërrohet në regres afatgjatë për sundimin e ligjit në Kosovë. /Lajmi.net/