Kosova ndalon tregtinë e energjisë me kompani serbe. Çfarë nënkupton kjo?

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe të energjisë, për shkak të, siç tha, vendimit të Serbisë për t’i mbajtur të bllokuara linjat ndërkufitare për tregtim tash e pothuajse shtatë vjet. Ky vendim, sipas kryeministrit Albin Kurti, vjen pasi Serbia nuk e ka zbatuar kërkesën e Këshillit Ministror të…

Lajme

16/11/2026 14:46

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe të energjisë, për shkak të, siç tha, vendimit të Serbisë për t’i mbajtur të bllokuara linjat ndërkufitare për tregtim tash e pothuajse shtatë vjet.

Ky vendim, sipas kryeministrit Albin Kurti, vjen pasi Serbia nuk e ka zbatuar kërkesën e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për t’i zhbllokuar dy linjat e interkoneksionit ndërkufitar, prej 400 kilovatësh, më 1 korrik.

Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij qeveritar të hënën, Kurti tha se Kosova po vendos kundërmasa ndaj Serbisë në fushën e energjisë, sepse “gjendja do të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim” nga shteti fqinj.

Kundërmasat e Kosovës përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet me origjinë nga Serbia, pra: blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt apo përmes transitit, ose rishitjes.

Se çfarë nënkuptojnë këto kundërmasa, kush preket dhe si ndikojnë ato, shpjegojmë më poshtë.

Me cilat kompani serbe bën tregti Kosova?

Qeveria e Kosovës nuk dha hollësi për kompanitë serbe që mund të jenë duke bërë tregti me energjinë elektrike në Kosovë, jashtë një kompanie serbe të themeluar përmes një marrëveshjeje mes dy vendeve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, Radio Evropa e Lirë (REL) merr vesh nga burimet në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë se ekziston, të paktën, një kompani serbe, e quajtur Energy Financing Team (EFT).

Shqyrtimi i aplikacionit të Energy Financing Team LL.C për veprimtarinë e tregtisë dhe energjisë elektrike ishte në rend dite në mbledhjen e 11-të të bordit të rregullatorit të energjisë së Kosovës, ZRRE, më 23 tetor, por deri më tash nuk ka të dhëna pse nuk i është vazhduar licenca.

Kjo kompani ka qenë e licencuar në ZRRE që nga viti 2006. Në bazë të licencës, asaj i lejohet të blejë, shesë, importojë, eksportojë dhe bëjë kalim transit të kapaciteteve dhe energjisë elektrike. Licenca i është vazhduar disa herë.

Ajo është e regjistruar edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), me një punëtor dhe kapital prej një mijë eurosh.

Qeveria i kërkoi ARBK-së t’i identifikojë ndërmarrjet e regjistruara në Kosovë që kanë veprimtari në sektorin e energjisë elektrike dhe që kanë lidhje pronësore ose organizative me Serbinë.

Të dhëna të plota publike për tregtinë e energjisë ndërmjet kompanive kosovare dhe atyre serbe – përfshirë kontratat, sasitë e tregtuara apo vlerën e transaksioneve – nuk ka.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha në një konferencë për media të hënën se “ne nuk kemi pasur asnjë indikacion, apo informatë, që ndonjë kompani e Kosovës po tregton me kompani serbe”.

Kurti nguli këmbë se Kosovës nuk i nevojiten këto linja të hapura për të importuar energji elektrike direkt nga Serbia, por për t’i shfrytëzuar ato për importin e saj transit, si dhe për qarkullimin e lirë të energjisë elektrike.

Kryeministri njoftoi se ky ndalim nuk vlen për furnizuesin e themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energji mes dy vendeve, Elektrosever, i cili furnizon me rrymë konsumatorët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike nga Serbia, Elektroprivreda Srbije (EPS), e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.

Por, Kurti paralajmëroi se Kosova do ta shqyrtojë “përshkallëzimin e masave” që do të mund ta preknin edhe Elektroseverin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për energji, nëse Serbia nuk zhbllokon linjat ndërkufitare në të ardhmen.

Ky vendim vjen pas ndryshimit të pushtetit në Serbi, ku Lista Studentore i dha fund sundimit 14-vjeçar të partisë së ish-presidentit Aleksandar Vuçiq dhe pritet të formojë së shpejti qeverinë e re.

Ish-ministri i Energjisë i Kosovës, Ethem Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se furnizimi i rregullt me energji elektrike duhet të jetë prioritet i Qeverisë dhe se tregtimi i saj nuk duhet të shndërrohet në instrument të lojërave apo veprimeve politike.

Ndikimi i vendimit

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në tetor të vitit 2026, vlera e importit të energjisë elektrike arriti në mbi 205 milionë euro. Nga kjo shumë, vetëm rreth 712 mijë euro, apo 0.35 për qind e vlerës së përgjithshme, i takojnë importit nga Serbia.

Rizvanolli tha se kjo përqindje e rrymës së importuar nga Serbia është bërë përmes Elektroseverit.

Sasia më e madhe e energjisë është importuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Zvicra dhe shtete tjera.

Por, sipas rregullatorit të energjisë së Kosovës, ZRRE, për shkak të natyrës së tregtimit të energjisë elektrike dhe rrjedhave ndërkufitare, vendi i deklaruar në të dhënat e importit nuk duhet domosdo të interpretohet si vendi i prodhimit fizik të energjisë.

Çeku, njohës i çështjeve energjetike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërprerja e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe nuk pritet të rrezikojë furnizimin e Kosovës, por sigurimi i energjisë mbetet sfidues, për shkak të gjendjes në tregun evropian.

“Duhet të ketë alternativa të tjera, tregjet evropiane janë të hapura dhe mundësitë ekzistojnë… edhe pse në këtë fushë ka vështirësi, pasi në Evropë mungon energjia elektrike. Lufta në Ukrainë dhe Rusi e ka dërrmuar rëndë sektorin e energjisë”, thotë Çeku.

Si Kurti, ashtu edhe Rizvanolli, thanë se Kosova ishte përpjekur ta zgjidhte çështjen përmes BE-së, përpara se të merrte këtë vendim, por nuk dhanë hollësi për këto përpjekje.

Bllokimi i linjave të interkoneksionit

Bllokimi i tregtisë së energjisë elektrike përmes linjave të interkoneksionit me Serbinë i ka kushtuar Kosovës dhe rajonit më shumë se 150 milionë euro vetëm gjatë vitit 2024, sipas Ministrisë së Ekonomisë.

Megjithatë, kjo shifër përfshin edhe rajonin dhe ministria nuk ka sqaruar se sa prej kësaj kostoje i takon drejtpërdrejt Kosovës.

Problemi po vazhdon që nga fundi i vitit 2020, kur Operatori i Sistemit të Transmetimit të Kosovës (KOSTT) filloi të funksionojë si zonë e pavarur rregulluese brenda sistemit energjetik kontinental evropian.

Që atëherë, tregtia komerciale e energjisë elektrike përmes kufirit Kosovë-Serbi nuk është funksionalizuar, ndërsa kapacitetet e dy linjave kryesore të interkoneksionit, Kosovë B–Nish dhe Podujevë–Krushevc, kanë mbetur të pashfrytëzueshme për këtë qëllim.

Për shkak të pamundësisë për të importuar dhe eksportuar energji përmes këtyre linjave, Kosova është detyruar të përdorë rrugë alternative, kryesisht përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Kjo ka rritur kostot e transmisionit dhe ka shtuar presionin mbi kapacitetet e linjave të tjera ndërkufitare. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në raste të caktuara kostoja e bartjes së një megavat-orë energji ka arritur deri në 800 euro, pa përfshirë çmimin e vetë energjisë.

Çeku thotë bllokimi i linjave ndërkufitare ka ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë.

“Bashkimi Evropian dhe institucionet evropiane duhet të jenë shumë rigoroze me Serbinë në këtë fushë. Edhe institucionet ndërkombëtare nuk guxojnë ta lejojnë Serbinë që t’i shantazhojë qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës përmes kësaj forme”, tha Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë arsye ai shprehet se Kosova duhet të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja vendore të prodhimit të energjisë, në mënyrë që të shmangë varësinë nga importi dhe të mos jetë e ekspozuar ndaj, siç tha ai, lojërave të Serbisë.

Sipas tarifave të tanishme, Konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.

Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat.