Kosova merr kontrollin e objektit në Graçanicë ku vepronte Posta e Serbisë

Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e një objekti në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës, ku deri më 15 janar të këtij viti ndodhej Posta e Serbisë. Ajo u mbyll në kuadër të një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë. Kosova i konsideron institucionet…

Lajme

11/09/2025 11:38

Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e një objekti në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës, ku deri më 15 janar të këtij viti ndodhej Posta e Serbisë. Ajo u mbyll në kuadër të një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

Kosova i konsideron institucionet serbe paralele dhe ilegale, ndërsa mbyllja e tyre nisi në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave të komunitetit ndërkombëtar se së pari duhej gjetur një zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, të cilët kryesisht janë nga komuniteti serb.

Serbët e Kosovës marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, disa prej të cilave u janë paguar pikërisht në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë apo për nënat, pensionet, ndihmat sociale e të tjera,REL.
Aktualisht nuk dihet nëse Posta e Kosovës do të hapë një filial të ri në objektin e marrë, apo do ta përdorë atë për qëllime të tjera.

Institucionet e Kosovës ende nuk janë deklaruar për aksionin e sotëm.

Drejtori i Postës së Serbisë për Kosovë, Ivan Millojeviq, i cili ishte i pranishëm sot gjatë marrjes së objektit nga Posta e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), u tha gazetarëve se në mes të korrikut u ndryshua pronari në kadastrin e Kosovës, dhe e cilësoi këtë si “uzurpim”, pasi “kemi dëshmi se këtë postë e kemi ndërtuar vetë në vitin 2004”.
“Aty ekzistonte një postë e vogël, e vjetër, prej rreth tridhjetë metrash katrorë, ndërsa ajo që shihni sot, ishte qendra e Postës së Serbisë në Kosovë”, tha Millojeviq, duke e cilësuar atë si “të marrë në mënyrë të paligjshme”.

“Mesazhi im është se do të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore për ta dëshmuar këtë në gjykatë. Por, e dini si është kur kadia edhe të padit, edhe të gjykon”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MINT-it me kërkesë për t’i komentuar deklaratat e Millojeviqit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy viteve të fundit janë mbyllur edhe Banka Kursimore Postare, Banka Kombëtare e Serbisë, drejtoritë e Fondit të Pensioneve dhe Sigurimeve Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike komunale, organet e përkohshme komunale dhe shumë të tjera.