Kosova me stabilitet fiskal dhe financiar
Kosova edhe pse me një trend të ngadalshëm të zhvillimit ekonomik vazhdon të ketë stabilitet fiskal dhe financiar. Këtë e ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza.

Lajme
Ai po ashtu gjatë një takimi me presidenten Atifete Jahjaga, ku edhe i ka dorëzuar raportin për vitin 2014, ka thënë se gjatë vitit të kaluar Kosova ka mbajtur një normë pozitive të rritjes ekonomike.
“Kosova gjatë vitit 2014 ka mbajtur një normë pozitive të rritjes ekonomike dhe vazhdon të reflektoj nivel të kënaqshëm të stabilitetit fiskal dhe financiar”, tha Hamaza.
Ai tha se Kosova vazhdon të ketë nivel të ulët të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, ndërsa çmimet gjatë vitit 2014 kanë qenë në harmoni me trendët globale dhe me një normë të ulët të inflacionit. “Guvernatori Hamza tha se edhe sektori bankar është i qëndrueshëm dhe me shkallë të lartë të kapitalizmit”, thuhet në një njoftim nga zyra e presidentes Jahjaga.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi punën që po bën Banka Qendrore e Kosovës dhe theksoi nevojën që ky institucion të vazhdojë angazhimin në ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të vendit.
“Prioritet i institucioneve të vendit është zhvillimi ekonomik, përmes krijimit të kushteve të favorshme të biznesit për investitorët e huaj por edhe për afaristët vendor”, ka thënë Jahjaga, transmeton lajmi.net.