Kosova me GDP-në më të ulët në rajon

Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, të cilat janë përditësuara në shtator të këtij viti, del se Kosova në krahasim me vendet e rajonit, Bruto Produktin Vendor (BPV ose GDP, në gjuhën angleze) për kokë banori e ka më të ulëtin.

Lajme

25/09/2014 17:56

Bruto produkti vendor për kokë banori në vendet e rajonit dhe në Kosovë është:

Kroacia – 13,529 dollarë amerikanë

Mali i Zi – 7,125 dollarë amerikanë

Serbia – 5,935 dollarë amerikanë

Maqedonia – 4,850 dollarë amerikanë

Shqipëria – 4,652 dollarë amerikanë

Kosova – 3,815 dollarë amerikanë

Bruto Produkti Vendor është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në sistemin e llogarive kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova nuk qëndron keq krahasuar me vendet e rajonit sa i përket vlerës së BPV-së për kokë banori.

Megjithatë, sipas Gashit, nëse shikohen si të tilla këto të ardhura kombëtare për kokë banori nuk janë të ulëta, mirëpo duke pasur parasysh se përqendrimi i kapitalit është  vetëm në duar e një numri të vogël njerëzish, kjo vlerë e BPV-së mbetet e ulët.

“Sipas këtyre statistikave Kosova nuk qëndron keq, se nëse pjesëtojmë 365 ditë me 3,815 dollarë, atëherë nuk jemi keq, mirëpo këtu ekziston një shpërputhje e madhe në mes të atyre që posedojnë një shumë të madhe të kapitalit, do të thotë kapitali në Kosovë është i koncentruar në shumë pak banor dhe shumica e banorëve kanë një standard të ulët të jetesës, i cili është nën minimumin e përcaktuar nga institucionet financiare ndërkombëtare”, thotë Gashi.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria në Kosovë është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10 për qind.

Varfëria ekstreme, sipas Bankës Botërore, përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë.

Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv i qendrës strategjike dhe sociale “STRAS” , thekson se të dhënat e fundit të BPV-së për kokë banori janë të kënaqshme, por që gjithsesi mbetet e ulët.

Sipas tij, jo secili qytetar i Kosovës ka këtë standard apo këto të ardhura.

“Vetë fakti, kur kemi parasysh edhe shifrat e BPV-së në vendet e tjera të rajonit dhe pavarësisht rritjes që ka pasur vendi , ne ende mbesim vend i varfër krahasuar me vendet e rajonit  e mos të flasim sa larg qëndrojmë nëse bëjmë një krahasim më vendet e rajonit”, thekson Rexhepi.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se Bruto Produkti Vendor ka arritur në 5 miliardë  e 326 milionë euro, gjë e cila që nga viti 2008 ka shënuar rritje.

Megjithatë, mosfunksionimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit,  sipas Naim Gashit, do të reflektojnë negativisht edhe në Bruto Produkt Vendor.

“Nëse ne kemi frenim të investimeve, frenim të konsumit, frenim të të hyrave të shtetit brenda një viti, në vitet e ardhshme do të kemi refleksione negative makroekonomike të cilat do të ndikojnë negativisht jo vetëm në BPV për kokë banori, por edhe në uljen e standardit të jetësor të popullatës, në zvogëlimin e vendeve të punës dhe në thellimin të bilancit negativ tregtar me botën e jashtme”, shton Gashi.

(Radio Evropa e Lirë)