Kosova largohet nga lista e vendeve me situata të brishtësisë dhe konfliktit – BQK mirëpret vendimin e Bankës Botërore

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur vendimin e Bankës Botërore për të larguar zyrtarisht Kosovën nga Lista e Vendeve me Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS – Fragile and Conflict-Affected Situations), e njohur gjithashtu si Lista FCV. Ky vendim i rëndësishëm është konfirmuar përmes një shkrese zyrtare të pranuar sot nga Banka…

Lajme

09/07/2025 17:34

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka mirëpritur vendimin e Bankës Botërore për të larguar zyrtarisht Kosovën nga Lista e Vendeve me Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS – Fragile and Conflict-Affected Situations), e njohur gjithashtu si Lista FCV.

Ky vendim i rëndësishëm është konfirmuar përmes një shkrese zyrtare të pranuar sot nga Banka Botërore, ndërsa lista e përditësuar tashmë është publikuar në faqen zyrtare të institucionit ndërkombëtar.

Largimi nga kjo listë konsiderohet si një moment domethënës për Republikën e Kosovës, duke reflektuar progresin e vendit në forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, stabilitetit makroekonomik, qeverisjes financiare dhe sundimit të ligjit.

Ky sukses është rezultat i angazhimeve të përbashkëta ndërinstitucionale, në veçanti me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe i përkushtimit të vazhdueshëm të BQK-së në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Çështja e largimit nga kjo listë ishte adresuar me theks gjatë Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore në prill të këtij viti në Washington D.C., ku delegacioni i BQK-së, i udhëhequr nga Guvernatori, zhvilloi takime të drejtpërdrejta me drejtues të lartë të këtyre institucioneve.

Përfitimet kryesore nga largimi nga lista FCS:

Përmirësim i perceptimit ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të Kosovës;

Rritje e besimit të investitorëve dhe ulje e vlerësimeve për rrezik financiar;

Qasje më e favorshme në financim zhvillimor dhe kapital privat;

Komplementim i vlerësimit të parë të kredisë sovrane për Kosovën, që reflekton trendin pozitiv në qeverisje dhe ekonominë e vendit.

BQK ka theksuar se kjo arritje forcon besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe përkrah përpjekjet e institucioneve për zhvillim të qëndrueshëm, përfshirje financiare dhe integrim evropian.