Kosova kërkon ndërhyrjen e BE-së dhe SHBA-së për mbrojtjen e shqiptarëve në Luginë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Gjatë një takimi në Prishtinë me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Kurti tha se diskriminimi i shqiptarëve…
Lajme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Gjatë një takimi në Prishtinë me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Kurti tha se diskriminimi i shqiptarëve në Serbi duhet të dokumentohet dhe të ndërkombëtarizohet.
“Po kërkojmë nga Bashkimi Evropian që ai t’i kërkojë Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, atë që vetë Evropa e konsideron themelore: sundim të ligjit, barazi, mosdiskriminim dhe mbrojtje efektive të pakicave”, deklaroi Kurti.
Ai tha se shqiptarët në Serbi përballen me nënpërfaqësim në polici, gjyqësor, administratë dhe punësim, si dhe me pasivizim të adresave, pengesa në përdorimin e gjuhës shqipe dhe qasje të pabarabartë në institucionet publike.
Sipas Kurtit, për këto shkelje duhet të njoftohen Brukseli, Washingtoni, Strasburgu dhe të gjitha institucionet që e vlerësojnë Serbinë për standardet demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Kryeministri në detyrë kritikoi edhe vizitën e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Luginë, duke thënë se ai vizitoi vetëm vendbanimet me shumicë serbe dhe përdori gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve.
Kurti bëri të ditur se Kosova po vepron në tri drejtime për t’i mbështetur shqiptarët e Luginës: trajtim sa më të barabartë të tyre në Kosovë, ndihmë financiare dhe arsimore, si dhe avokim ndërkombëtar.
Ai tha se gjatë këtij viti Serbia ka bllokuar dy transfere financiare, në vlerë prej mbi dy milionë eurosh, të destinuara për 136 projekte dhe organizata shqiptare në Luginë.
Kurti kërkoi zhbllokimin e mjeteve, duke theksuar se shpërndarja e tyre ka qenë transparente dhe se autoritetet serbe mbajnë përgjegjësi për pengesat e krijuara.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në vend.