Kosova ka nevojë për shtresën e mesme
Në javën ndërkombëtare të parasë, drejtori ekzekutiv i Shoqatave Bankave të Kosovës, Petrit Balija, tha në emisionin e mëngjesit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) se diferencimi i shtresës së pasur dhe të varfër nuk krijon stabilitet ekonomik.
Lajme
Prandaj, sipas tij, është shumë e rëndësishme që në Kosovë të krijohet edhe shtresa e mesme.
“Sa më mirë të menaxhohet paraja edhe shteti ynë ka të ardhme më të mirë. Krijimi i një shtrese të mesme në shoqërinë tonë do të jetë shtylla e ekonomisë sonë, sepse dita- ditës vërehet se ka diferencim të shtesës së pasur dhe asaj të varfër dhe kështu nuk mund të krijohet stabilitet ekonomik”, tha Balija në programin e mëngjesit në RTK.
Si të jemi të kujdesshëm rreth parasë, ai tha se është shumë e rëndësishme që edhe të fëmijët të mësojnë për këtë temë, sepse sipas tij sa më herët që fëmijët të fillojnë t’i menaxhojnë mjetet financiare personale aq më lehtë do ta kenë në moshë të rritur. “Pra është më rëndësi që edhe gjeneratat e reja të kenë informacione në këtë fushë ,sepse menaxhimi i financave bëhet nga tërë familja dhe jo vetëm nga një individ”, tha ai.
Në javën ndërkombëtare të parasë, drejtori ekzekutiv i Shoqatave Bankave të Kosovës, tha se është shumë ë rëndësishme që edhe mësimdhënësit t’i kushtojnë ndonjë orë mësimi fëmijëve se si të jenë të jenë të kujdesshëm ndaj parasë. Ai tha se duhet të organizohen sa më shumë aktivitete në këtë fushë ,sepse fëmijët mësojnë më shumë nga aktivitetet sesa kur lexojnë në teori.
Sipas tij, shumica e bankave në Kosovë ofrojnë llogari kursimi për fëmijë dhe nga viti në vit vërehet rritje e numrit të hapjes së llogarive për fëmijë. Kjo sigurisht tha ai, nga sensibilizimi i prindërve për rëndësinë e kursimit të parave për fëmijët.
Balija shpreson se në të ardhmen do të ketë sensibilizim edhe më të madh të fëmijëve në këtë fushë. “Para dhe faktori kohë janë të ndërlidhura”, tha ai.
Duke folur edhe për sistemin bankar në Kosovë, ai tha se vitin e kaluar ka pasur një rënie të fitimit për sektorin bankar me diku 12 për qind. Ajo çka është e rëndësishme shtoi ai, kreditimi është zgjeruar për 10 për qind, ndërsa depozitat janë rritur në 9 për qind që është një rritje solide.” Kjo do të thotë se qytetarët kanë përfituar nga ulja e normës së interesit”, tha ai.