Kosova humbi miliona euro ndihmë nga Japonia për shkak të neglizhencës së Qeverisë – reagon ashpër Asociacioni i Komunave

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër pas humbjes së një mundësie të rëndësishme financiare dhe teknike që Japonia kishte ofruar për Republikën e Kosovës në fushën e menaxhimit të mbeturinave. Në një deklaratë publike, drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se mosdorëzimi i një projekt-propozimi të gatshëm, përgatitur nga ekspertë…

Lajme

10/09/2025 10:17

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër pas humbjes së një mundësie të rëndësishme financiare dhe teknike që Japonia kishte ofruar për Republikën e Kosovës në fushën e menaxhimit të mbeturinave.

Në një deklaratë publike, drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se mosdorëzimi i një projekt-propozimi të gatshëm, përgatitur nga ekspertë japonezë, përbën një dështim të rëndë institucional, duke akuzuar drejtpërdrejt Qeverinë dhe ministrinë përkatëse për neglizhencë të pafalshme, transmeton lajmi.net.

“Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme e humbur për modernizimin e sistemit të mbeturinave, një program serioz me një vit përgatitje dhe 4-5 vite zbatim praktik, që do të ndihmonte drejtpërdrejt komunat dhe qytetarët,” thuhet në reagim.

Japonia ka qenë më parë një ndër donatorët më të rëndësishëm në këtë sektor, duke i dhuruar Kosovës mbi 60 kamionë për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa ky program i ri ishte paraparë të shtrihej edhe më gjerësisht.

Sipas Ibrahimit, AKK ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me koordinatorin e projektit të JICA (Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar) dhe ka dhënë mbështetjen e saj për përfshirjen në këtë iniciativë, por për shkak të papërgjegjësisë së ministrisë përkatëse, projekti ka dështuar.

Ibrahimi e ka cilësuar si të papranueshëm faktin që ndërkohë Presidentja e Kosovës, gjatë vizitës së saj në Japoni, ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes nga JICA, ndërsa në anën tjetër, ministria ka hezituar të aplikojë për këtë program, duke e vendosur vendin në një pozitë të palakmueshme para një partneri strategjik si Japonia.

Për më tepër, AKK kujton se kjo nuk është hera e parë që ndihmat ndërkombëtare humben për shkak të neglizhencës institucionale. Para pak kohësh, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) kishte humbur edhe rreth 12 milionë euro nga Komisioni Evropian, të dedikuara për komunat në kuadër të skemës së grantit të performancës.

“Ky nuk është thjesht një projekt i dështuar, por një goditje e rëndë për komunat dhe qytetarët e Kosovës, të cilët mbesin pa investime jetike për mjedisin dhe shëndetin publik,” ka theksuar Ibrahimi./lajmi.net/