Kosova hap Kampionatin Evropian të Esports 2025 me një ceremoni madhështore
Në një atmosferë elektrizuese dhe nën dritat magjike të skenës unike në sallën “1 tetori” në Prishtinë, Kosova mirëpriti zyrtarisht Kampionatin Evropian të Esports 2025 (EEC25). Ceremonia e hapjes shënoi nisjen e një ngjarjeje historike për vendin dhe për sportin digjital evropian, ku 36 ekipe përfaqësuese nga i gjithë kontinenti do të përballen në garën…

Sport
Në një atmosferë elektrizuese dhe nën dritat magjike të skenës unike në sallën “1 tetori” në Prishtinë, Kosova mirëpriti zyrtarisht Kampionatin Evropian të Esports 2025 (EEC25).
Ceremonia e hapjes shënoi nisjen e një ngjarjeje historike për vendin dhe për sportin digjital evropian, ku 36 ekipe përfaqësuese nga i gjithë kontinenti do të përballen në garën më prestigjioze të këtij lloji.
Arena ishte e mbushur me entuziazëm, ndërsa sportistë të esports-it, fansa dhe personalitete ndërkombëtare morën pjesë në nisjen zyrtare të turneut.
Me një skenografi të nivelit më të lartë, teknologji moderne dhe performanca spektakulare, ceremonia theksoi ambicien e Kosovës për të qenë qendër e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare në botën e sporteve elektronike.
EEC25 pritet të sjellë gara emocionuese, rivalitet të fortë mes ekipeve dhe përvoja të paharrueshme për publikun vendas e ndërkombëtar. Kosova nuk është vetëm mikpritëse, por edhe simbol i zhvillimit dhe potencialit të esports-it në rajon.
Në ceremoninë e hapjes zyrtare, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili të pranishmëve iu drejtua në gjuhën angleze, theksoi se megjithëse në botë ky njihet si sport i ri, Kosova ka një storie të gjatë në këtë aktivitet pasi që të rinjtë kosovarë shumë vite më parë filluan angazhimin e tyre në lojërat elektronike nëpër “internet caffe”, duke bërë kështu hapat e parë drejtë rritjes profesionale në këtë sport.
Kurti gjithashtu bëri thirrje që nga sot e deri më 13 korrik, ekipi përfaqësues i Kosovës në këtë garë të mbështetet me zemër nga të gjithë adhuruesit dhe praktikuesit e lojërave elektronike-Esports.
Altin Preniqi, Kryetar i Federatës së Esports në Kosovë, tha se organizimi i këtij evropiani është moment historik për Kosovën sepse ky sport sjellë energji të madhe, e mbi të gjitha, miliarda shikues online nga e gjithë bota, duke u bërë kështu mundësi e rrallë për promovimin e imazhit të Republikës së Kosovës në mbarë rruzullin tokësorë.
Ky kampionat organizohet nga Federata Esports Kosova me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndeshja e parë do të zhvillohet sot ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë.