Kosova është temë në zgjedhjet serbe

Zgjedhjet parlamentare serbe nuk do të kalojnë pa e përmendur Kosovën si temë, ndonëse tashmë është e qartë që shumica e partive serioze do të kenë gati të njëjtin program.

Lajme

01/02/2014 08:44

Në Serbi, shumica e partive kanë të njëjtin qëndrim sa i përket bisedimeve dhe integrimeve. Dialogu me Kosovën është i dobishëm. Pas shpalljes së zgjedhjeve, Beogradi ka një qeverisje teknike dhe është premtuar se do të vazhdohet me punën dhe zbatimin e marrëveshjeve, raporton Top Channel.

Profesori dhe analisti Dejan Vuk Stankoviç thotë se Kosova nuk do të jetë shumë në fokus, ndonëse do të përmendet.

“Kosova nuk mund të shmanget nga politika serbe. Ka ende dyshime nëse marrëveshjet mund të zbatohen ashtu siç janë nënshkruar. Por një kornizë e përgjithshme është bërë si konsensus i arritur në Bruksel. Ka çështje të hapura, por nuk do të ketë parti serioze që do të vënë në dyshim politikën e qeverisë së Daçiç për Kosovën”, thotë Stankovic për TCH.

Zgjedhjet serbe do të organizohen edhe në Kosovë, për Serbinë brenda territorit të saj, ndërkohë që për Kosovën diaspora serbe ka dyshtetësi. Qendra për zgjedhje të lira e demokraci CESID, më aktivja në zgjedhjet serbe, ka vlerësuar se ndikimi në marrëdhëniet Kosovë-Serbi nuk mund të jetë i madh.

“Nuk shoh arsye se pse mund të ndikojnë zgjedhjet në marrëdhëniet me Kosovën, edhe pse qeveria nuk mund të bëjë marrëveshje më pasi nuk ka mandat. Por, fakti që ata që janë në qeveri pritet të jenë aty edhe pas zgjedhjeve, nuk shoh arsye për ndikim. 45 ditë fushate nuk është shumë dhe nuk do të ketë probleme serioze”, thotë Marko Blagojeviç, nga prganizata CESID për TCH.

Zgjedhjet serbe pritet të kenë një fushatë të ashpër në mes të tentimeve për rikthimin e humbësve, forcave demokrate që tani nuk i dallon shumë me ofertat e tjera dhe atyre në qeveri që hulumtimet e opinionit i favorizojnë.