​Kosova e Shqipëria bashkojnë forcat për kampionatin evropian në volejboll

Kosova dhe Shqipëria organizojnë ngjarjen më të madhe kontinentale në volejboll për vajzat U16, dhe njërën prej ngjarjeve më të mëdha të organizuara në Kosovë nga data 2 deri më 13 korrik. Sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovë, Valon Nikqi, bën të ditur se për gatitjet për të pritur tetë kombëtaret më të mira…

Sport

29/06/2025 14:40

Kosova dhe Shqipëria organizojnë ngjarjen më të madhe kontinentale në volejboll për vajzat U16, dhe njërën prej ngjarjeve më të mëdha të organizuara në Kosovë nga data 2 deri më 13 korrik.

Sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovë, Valon Nikqi, bën të ditur se për gatitjet për të pritur tetë kombëtaret më të mira evropiane në Prishtinë tashmë janë bërë dhe se ky kampionat do të shënojë një pikë kthese në ndërkombëtarizimin e volejbollit të Kosovës.

“I kemi bërë të gjitha përgatitjet, jemi në fazën finale të përgatitjeve dhe Kosova është e gatshme për mikpritjen e tetë kombëtareve që do të jenë pjesë e fazës finale të Kampionatit Evropian U16. Ekipet pritet të vijnë më datën 30 qershor, ndërsa stafi i zyrtarëve do të vinë një ditë më herët kështu që ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, Kosova për herë të parë është mikpritëse e një evenimenti ose e një ngjarjeje të tillë sportive”, tha Nikqi.

Nikqi zbulon detajet mbi zhvillimin e kampionatit dhe u bënë thirrje dashamirëve të këtij sporti të jenë të pranishëm për ta mbështetur kombëtaren e Kosovës në këtë kategori.

“Ndeshjet do të fillojnë më datën 2 korrik ndërsa në program çdo ditë do të jenë nga katër ndeshje, duke filluar nga ora 12:30, ndeshjet do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Në të njëjtën kohë do të zhvillohen ndeshjet kualifikuese edhe në Tiranë, pra secili ekip do të luajë me secilin – janë tetë ekipe në grup dhe do të zgjasin deri më datën 10 korrik. Dy ekipet e para do t’i vazhdojnë gjysmëfinalet dhe finalet, më 13 e 14 korrik në Tiranë. Kosova do t’i zhvillojë ndeshjet çdo ditë nga ora tetë në mbrëmje kështu që unë iu bëj thirrje të gjithë dashamirëve të volejbollit dhe sportit në përgjithësi që të vijnë dhe ta përkrahin kombëtaren tonë U16 për të cilat është një përvojë e re”, deklaroi Nikqi

Ndërsa, kryetari i Federatës së Volejbollit të Shqipërisë, Erlind Pëllumbi, ka folur mbi mundësinë e kandidaturës së përbashkët Kosovë-Shqipëri për organizimin e evropianit të volejbollit për seniorë.

“Le të shpresojmë. Është një sipërmarrje shumë e madhe për ambientet që ne disponojmë për infrastrukturën gjë e cila na penalizon në këtë aspekt. Por, gjithsesi, të paktën flas për Shqipërinë, ne jemi duke punuar bashkë me qeverinë që të ndërtojmë disa palestra prestigjioze për të marrë dhe për t’u përfaqësuar edhe në këto lloj garash. Asnjëherë nuk është vonë, gjithmonë duhet të kesh një objektiv të cilin duhet ta arrish, por besoj që është shumë shpejt për të menduar për gara të tilla”, tha Pëllumbi.

Përtej garave ndërkombëtare, Pëllumbi paralajmëroi se Federata e Volejbollit të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në një të ardhme të afërt do të krijojnë ligën e përbashkët të volejbollit, për të cilën së pari duhet shikuar nëse kjo është konform rregullave të Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit./kp