“Kosova e Re”, pro dhe kontra ndërtimit

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” ende nuk është harruar. Në fakt, procesi është në fazën vlerësuese. Por, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me këtë projekt, kundërthëniet edhe më tej vazhdojnë.

Lajme

14/01/2015 21:59

Oferta e kompanisë amerikane për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” është në fazën vlerësuese. Tashmë puna ka kaluar në vlerësimin teknik nga këshilltarët e transaksionit strategjik si dhe Njësisë Implementuese të Projektit.

Zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nuk flasin për hollësitë e ofertës, por thonë se në çdo variant termocentrali do të ndërtohet sipas standardeve evropiane.

“Jemi pjesë e traktatit të energjisë dhe në baza vullnetare kemi vendosur që të zbatojmë direktivën e BE-së për emetim të gazrave dhe CO2, në mënyrë që të sigurohemi se termocentrali do të ndërtohet sipas direktivave të Bashkimit Evropiane”, tha për RTK Liridon Mavriqi nga MZHE.

Njohësi i çështjeve energjetike, Luan Shllaku ka vërejtje rreth qasjes së institucioneve ndaj këtij projekti.

“Mua me intereson se çka sjell kjo ofertë e investitorit në këtë moment. Cilat janë sot beneficionet që Kosova do t’i ketë të analizuara shumë mirë dhe cilat janë alternativat”, tha Shllaku. Ai tërheq vërejtjen që të mos ketë nguti në këtë projekt.

E kundër ndërtimit të termocentralit Kosova e Re është rreshtuar një pjesë e shoqërisë civile, përkatësisht KOSID.

“Projekti i TC Kosova e Re nuk duhet të ndodhë në këtë moment, për shkak se sektori energjetik ka momente të shumta që duhet të adresohen dhe nuk kemi parë as pjesën financiare dhe sa do të kushtojë ky projekt”, tha Visar Azemi nga KOSID.

Ky projekt është duke u vëzhguar nga Banka Botërore, BERZH, USAID, KFw, IFC, përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, të cilët më vonë pritet të japin edhe mbështetje financiare.