Kosova e para në Ballkan për zhdoganimin “Pa letër”

Dogana e Kosovës ka lansuar sot projektin e ri, për t`iu krijuar kompanive lehtësira në të bërit biznes. Koncepti zhdoganimet “Pa letër” (Paperless), që u përurua sot në Terminalin Doganor në Prizren, ka për qëllim eliminimin e procedurave dhe barrierave administrative si dhe përshpejtimin e procedurave të zhdoganimit të mallit.

Lajme

24/06/2015 18:58

Kjo gjë është quajtur edhe si hapi më i madh dhe se Kosova bëhet vendi i parë në Ballkan që aplikon sistemin e zhdoganimit “pa letër”.

Ky projekt është mundësuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Drejtori i Doganës Lulzim Rafuna e quajti një hap të madh dhe se kjo do të ndihmojë në uljen e kostos e të bërit biznes.

“Për ne është një hap i madh që e zhvillon doganën tonë dhe iu afrohemi standardeve të Bashkimit Evropian. Me këtë, do ta ulim koston e të bërit biznes dhe koston administrative, më pas do ta ulim burokracinë që ka ekzistuar në ndarjen në administratë të dokumentacionit me letër fizike. Po ashtu, ky është një lehtësim për tregti, pasi në kohë më të shkurtër malli do të shkoj te konsumatori”, deklaroi Rafuna.

Ai gjithashtu tha se Doganën ky hap i mundëson që burimet të cilat i ka dogana në dispozicion t’i koncentrojnë te kontrollimi më i plotë i mallit. Sipas tij të gjithë këta janë hapa pozitivë që i kontribuojnë shtetit dhe reformave që i kanë marrë në doganë.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu theksoi se kjo është një ditë e veçantë, jo vetëm për shkak të dimensionit ekonomik por edhe pasi po promovohet partneriteti publik-privat, dhe partneriteti me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian.

“Kjo që është duke bërë Dogana e Kosovës është për t’u çmuar dhe respektuar. Vetë fakti që do të ndikojë në lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë, fakti që do të ulen mundësitë për dukuri negative, do të reflektojë vetvetiu në krijimin e ambientit për të bërit biznes. Do të ndryshojë perceptimi për Doganën dhe vetë Kosovën. Ky është një motiv shtesë për investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë”, deklaroi Gërxhaliu.

Ndërsa Megan Naylor zyrtare për ekonomi dhe tregti në Ambasadën Amerikane tha se do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur efikasitetin në Doganë./KosovaPress/