Kosova duhet të shfrytëzojë resurset e saj të energjisë

Kosova nuk mund të arrijë integrim politik pa arritur integrim ekonomik. E për të arritur integrim ekonomik, Kosova duhet të shfrytëzojë edhe potencialet që ka në fushën e energjetikës.

Lajme

14/09/2014 16:00

Me shfrytëzimin e 15 miliardë tonelatë qymyr dhe me shfrytëzimin e burimeve të ripërtrishme, përveç përfitimit të miliarda dollarëve dhe krijimit të vendeve të punës, ajo po ashtu do të ketë zhvillime edhe në sektorë të tjera.

Kështu u tha në një konferencë të organizuar nga Kompania “Evroenergie” dhe Oda ekonomike e Kosovës, e organizuar me qëllim të paralajmërimit të konferencës ndërkombëtare “Tregu Energjetik Evropa Julgindore”, e cila mbahet për herë të tretë në Prishtinë.

Politikat energjetike evropiane dhe liberalizimi i tregut, sfidat në gjenerimin e energjisë konvencionale, në integrimin e energjisë së ripërtërishme dhe në ngritjen e efiçencës së energjisë, potencialet e investimeve në Evropën Juglindore, sigurimi i furnizimit me energji për Evropën Juglindore, sipas Hamdi Malushaj, drejtorit të Kompanisë “Evroenergie” dhe organizator i konferencës, janë temat që do të diskutohen në konferencën ndërkombëtare për energji.

sipas tij, kjo konferencë ka mjaft rëndësi për zhvillimin e ekonomisë së vendit, duke shfrytëzuar burimet energjetike.

“Kjo qëndron në faktin se sektori i energjisë në Evropën juglindore është çelës për rritje ekonomike dhe njëkohësisht hap rrugën për integrime evropiane, duke marrë parasysh faktin se Evropa Juglindore është e pasur me burime energjetike, që do të kenë një rëndësi të madhe për zhvillim ekonomik, përmes investimeve në këtë sektorë. Konferenca do të mundësojë që në një vend të jenë të gjithë akterët e tregut energjetik që ndërlidhen me energjinë dhe tregun energjetik”, tha ai.

Njohës i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi tha se konferenca mund t’i ndihmojë Kosovës edhe për problemin e krizës energjetike dhe për tensionet rreth çmimit të energjisë elektrike.

Ai tha se Kosova ka mjaftueshëm potencial për zhvillim të fushës së energjetikës.

“Meqenëse energjetika me 15 miliardë tonelata qymyr me potenciale edhe prej burimeve të ripërtëritëshme është një mundësi e madhe që bvendi të përfitojë vetëm disa miliarda apo dy mijë vende të punës, por të përfitojë një potencial të mundshëm në zhvillim edhe të sektorëve të tjerë”, tha Rexhepi.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tregoi edhe arsyet se përse kjo konferencë dhe aktivitete të tilla kanë rëndësi të veçantë për Kosovën.

Ai tha se pjesëmarrja e liderëve evropian në fushën e energjetikës dhe ekspertëve të kësaj fushe, në konferencën e ardhshme, është e rëndësishme për Kosovën. Sipas tij, konferenca mund të ndikojë edhe në situatën nëpër të cilën ndodhet Kosova, ku çmimi i energjisë elektrike u ngrit brenda dy muajve dy herë.

“Vet fakti që në vitin 2014 kemi pas një ngritje të çmimit dy herë brenda dy muajve, vet fakti që këto shtrenjtime kanë ndodhur në kohën kur po hyjmë në sezonin e dimrit dhe tarifat duhet ashtu kështu të ndryshojnë, besoj që janë një grusht për proceset ekonomike në Kosovë, jo vetëm për proceset ekonomike por edhe për proceset sociale, e edhe karshi investitorëve të huaja. Dhe në këtë drejtim besoj që konferenca të tilla do të jenë një kontribut për gjetjen e alternativave dhe mbështetjes së proceseve ekonomike në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

I pyetur nga gazetarët  se çfarë po e pengon zhvillimin e energjetikës, Gërxhaliu ai tha se ngarkesa e agjendës politike është ndër arsyet kyçe.

Konferenca “Tregu Energjetik Evropa-2014” cila do të mbahet 18 dhe 19 shtator dhe në të pritet të marrin 200 përfaqësues të institucioneve shtetërore, kompanive të energjisë, ekspertë të energjisë, përfaqësues të asociacioneve nga Brukseli, Gjermani, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Austria dhe Bosnja e Hercegovina. (KosovaPress)