Kosova duhet të radhitet përkrah SHBA-ve, BE dhe Gjermania kanë dështuar në momentet kyqe
Kosova ka hyrë në një fazë të tensionuar politike në raport me taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe dialogun Kosovë – Serbi.
Lajme
Kryeministri Kurti me heqjen e pjesërishme të taksës ndaj Serbisë ka marrë përkrahjen e Bashkimit Evropian në krye me Gjermaninë, por ka nervozuar SHBA-të dhe të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.
Ditën kur Kurti vendosi të largojë pjesësisht taksën ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, Grenell nëpërmjet një postimi në Twitter nuk u pajtua me vendimin e Kurtit, madje i dha vërejtje se është duke bërë gabim serioz me sjelljet e tij politike.
Grenell: Nuk e pranojmë vendimin e Kurtit për taksën – ai po bën një gabim serioz
Por, në anën tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt ka dalë në mbështetje të Kurtit pas vendimit të tij për taksën duke thënë se ky është një hap i rëndësishëm dhe inkurajues.
Gjermania përkrah Kurtit për taksën: Hap i rëndësishëm dhe inkurajues
Ndërsa, dje gjatë ditës, Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell është shprehur i gatshëm për të asistuar në dialog dhe e ka vlerësuar pozitivisht hapin e Kurtit.
Këto qëndrime diametralisht të kundërta të Bashkimit Evropian në krye dhe në veçanti nga Gjermania me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë krijuar një situatë të re politike.
Politika kosovare duhet të vendosë nëse do të rreshtohet përkrah BE-së dhe Gjermanisë që ofrojnë zgjidhje të ngadalshme të problemit, apo përkrah SHBA-ve që ofrojnë zgjidhje të shpejtë të problemit Kosovë – Serbi.
Lajmi.net ka kontaktuar njohësit e çështjeve politike për të diskutuar rreth çështjes së taksës 100 për qind dhe rreshtimit të Kosovës përkrah aleatëve të fuqishëm që mundësojnë zgjidhjen e problemit me Serbinë.
Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani për lajmi.net ka thënë se edhe pse BE e ka mandatin, dështimet e saj e kanë bërë akter kryesor në dialog SHBA-në.
Sipas Burjanit, vendosja në krye të dialogut e dy përfaqësuesve që nuk njohin shtetin e Kosovës ka bërë që të krijohen pakënaqësi tek pala kosovare dhe mos-besim ndaj BE-së.
“Edhe pse mandatin e ka BE të udhëheq këtë dialog teknik sipas rezolutës së OKB-së, dështimet e BE-së në këtë relacion futen në lojë kryesore SHBA-të. BE me dëshirë duket se po e largon vetën nga dialogu kështu mund të thuhet apo po thuhet në disa shtete të BE-së, me caktimin e Lajçak për kryenegociator kjo jep të kuptohet se BE dështoi pasi as Borell e as Lajçak nuk kanë qëndrim neutral karshi Kosovës dhe këto dy shtete si Spanja dhe Sllovakia nuk e njohin Kosovën dhe smund të jenë ndërmjetësues kjo është e qartë edhe në parimet ndërkombëtare, për të qenë ndërmjetësues duhet të jesh neutral dhe jo i padëshiruar prej palëve, kjo vetë-vetiu rastin për zgjidhje ia kalon SHBA, SHBA do të jetë kryenegociator, BE mund të asistojnë”, tha Burjani për lajmi.net.
Më tutje, Burjani është shprehur se SHBA-të janë akteri ku Kosova beson fuqishëm për zgjidhje të problemit me Serbinë, përderisa BE ka regjistruar dështimin e rradhës me emërimet e fundit në krye të diplomacisë.
“Pra, Kosova beson fuqishëm vetëm në SHBA për zgjidhje, përderisa BE dështoj me caktim të ndërmjetësuesit, me çfarë parime ka zgjedhë apo pritet të zgjedhë Lajçak në këtë rast nuk dihet por asesi nuk mund të thuhet se ka përfillje të standardeve ndërkombëtare në këtë temë ku ndërmjetësuesi duhet të jetë neutral mes palëve për të qenë kredibil”, tha Burjani për lajmi.net.
Ndërsa, analisti politik dhe sociologu Jeton Burjani për lajmi.net është shprehur se zhvillimet e fundit në politikën kosovare kanë qenë mjaft dinamike, dhe ka nënvizuar dallimet e SHBA-së dhe BE-së sa i përket çështjes së taksës.
“Zhvillimet e fundit në politiken kosovare kanë qenë mjaft dinamike, është përfolur shumë se kryeministri Kurti e ka një afat të caktuar deri të premtën për ta larguar taksën, në të kundërten SHBA-të do të ndërmernin masa të ndryshme karshi vendit tonë. Taksa u largua pjesërisht të enjtën, duke shkaktuar polemika të ndryshme si tek ne ashtu edhe në qarqet ndërkombtare. Qëndrimi i prerë dhe final i administratës të presidentit Trump ishte që taksa të hiqet pa kushte, këtë e konfirmoj edhe ambasadori Grenell pak orë me vonë përmes një tweet. Të nesërmen BE-ja i dha mbeshtetje heqjes së taksës, ndërsa presidenti Vuqiq ishte i paknaqur dhe akuzonte z.Kurti se këta urdhëra i mori nga dikush i BE-së”, tha Brajshori për lajmi.net.
Më tutje, Brajshori është shprehur se SHBA-të kanë qenë aleati më i fuqishëm i Kosovës dhe ka shtuar se kryeministri Kurti duhet të ketë kujdes të shtuar karshi SHBA-ve.
Sipas Brajshorit, përvojat e kaluara kanë treguar se BE ka stagnuar në momentet kryesore, duke theksuar faktin se Serbia e ka synim prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-të.
Brajshori ka vlerësuar se Kosova duhet të rradhitet përkrah SHBA-ve dhe të taksa të hiqet plotësisht, duke vënë vërejtjen tek çështja që sipas tij çdo marrëveshje Kosovë – Serbi pa SHBA-të do të ishte në dëm të Kosovës.
“SHBA-të kanë qenë gjithmonë aleati ynë më i fuqishëm dhe përkrahësit më të mëdhenj të shtetit tonë, mendoj që kryeministri Kurti duhet të ketë kujdes të shtuar karshi SHBA-ve, ndonse në këtë marrëdhënie të tensionuar ka hy me fajin e qeverisë së kaluar, ai duhet të tregohet fleksibil dhe për çdo hap të kordinohet me Uashingtonin. Nga përvojat e kaluara, kemi parë që nga BE-ja kemi patur përkrahje por në momentet kyqe ato kanë stagnuar dhe janë riaktivizuar vetëm pas shtytjes që kanë marrë nga SHBA-të. Qëllimi i Serbisë, siç u pa edhe nga deklarata e presidentit Vuqiq (që nuk e kish fare problem përkrahjen e BE-së) është prishja e marrëdhënieve me SHBA-të, gjë të cilën Serbia ka investuar shumë që nga ardhja në pushtet e presidentit Trump, pra eliminimi i SHBA-së nga marveshja përfundimtare me Serbinë e bënë këtë të fundit fitimtare dhe shtetësia jonë tutje do të atakohej edhe më shumë. Nëse SHBA është e qartë se taksa duhet të hiqet e plot dhe pa kushte, ashtu edhe duhet të veprohet, tek e fundit nëse Serbia vazhdon ofanziven e vet, ajo pas një kohe edhe mund të vendoset prap. Po e përsëris prap , çdo marrëveshje e arritur me Serbinë pa përfshirjen e SHBA-ve do të jetë në dëm tonin.”, tha Brajshori për lajmi.net.
Në anën tjetër, media të njohura botërore siç është gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka shkruar për pasojat e mundshme që mund të ketë Qeveria Kurti dhe Kosova nga një konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta ka shkruar se Richard Grenell është i dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Me një paralajmërim të ashpër në Twitter, ai (Grenell) iu drejtua Qeverisë në Prishtinë, meqë ajo doli kundër Uashingtonit“, shkruan gazeta.
Sipas FAZ, kreu i ri i qeverisë kosovare, Albin Kurti, me sa duket ka hyrë në një konflikt të hapur me presidentin amerikan Donald Trump.
“Kjo është e jashtëzakonshme, sepse të gjithë kosovarët e dinë që çlirimi i Kosovës nga sundimi i Beogradit në 1999, nga bombardimet e NATO-s të Serbisë dhe shpallja e pavarësisë e vitit 2008, janë kryesisht për shkak të Shteteve të Bashkuara“, ka shkruar gazeta gjermane.
FAZ: Kurti po hyn në konflikt të hapur me Amerikën dhe Donald Trumpin
Ndërsa, sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimeve që pati në Uashington me krerët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar edhe njëherë mesazhet e tyre për Kosovën.
Thaçi, më tutje është shprehur se SHBA-të janë adresa e vetme e sinqertë për Kosovën dhe se politika kosovare nuk guxon assesi të lëndojë marrëdhëniet me shtetin amerikan.
Sipas Thaçit, në të kundërten e kësaj, Kosova mund të përballet me pasoja të jashtëzakonshme që vijnë si konsekuencë e prishjes së raporteve me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbetet që ditët në vazhdim të shihet se cili do të jetë vendimi që do të merr kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi me vendimin e tij për heqje të pjesërishme të taksës nuk janë pajtuar as opozita në Kosovë dhe as partneri qeveritar Lidhja Demokratike e Kosovës. /Lajmi.net/