Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë dy marrëveshje për bujqësinë, fokus te siguria ushqimore, fermerët dhe digjitalizimi i sektorit

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla, kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me synim thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Sipas…

Lajme

29/06/2026 18:21

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Salla, kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi me synim thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, vizita u realizua me ftesë të ministrit shqiptar dhe kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe koordinimin më të ngushtë të politikave në sektorin agro-ushqimor.

Marrëveshjet e nënshkruara synojnë avancimin e politikave të përbashkëta në bujqësi, rritjen e standardeve në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitetit, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në zhvillimin rural.

Po ashtu, ato parashohin mbështetje më të madhe për fermerët përmes instrumenteve të politikave bujqësore dhe skemave financiare, si dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet dhe praktikat e Bashkimi Evropian.

Një nga pikat kryesore të bashkëpunimit do të jetë edhe modernizimi i sektorit bujqësor përmes digjitalizimit të shërbimeve, si dhe forcimi i kapaciteteve në kërkimin shkencor, inovacionin dhe transferimin e teknologjive bashkëkohore, me synimin për të rritur efikasitetin dhe konkurrueshmërinë e sektorit.

Ministria e Bujqësisë vlerësoi se këto marrëveshje përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në konsolidimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, forcimin e sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve rurale në të dy vendet. /Lajmi.net/