Së shpejti marrëveshje për mësim plotësuese për diasporën

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, gjatë vizitës së saj në Kosovë, është pritur në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Atifet Jahjaga dhe ministri i Diasporës Valon Murati.

Lajme

11/03/2015 14:23

Në këto takime është biseduar për thëllimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas një komunikate të Presidencës së Kosovës, Jahjaga dhe Nikolla biseduan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të arsimit të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë dhe vlerësoi se me qëllim të ngritjes së cilësisë, në përputhje me normat dhe standardet evropiane, do të ishte me interes zgjerimi i bashkëpunimit të ndërsjellë.

Ndërkaq ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, shprehu përkushtimin e Tiranës zyrtare, për të zgjeruar bashkëpunimin me institucionet e arsimit në Kosovë. Ajo theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave më të mira midis dy vendeve si në arsimin parauniversitar, ashtu edhe në arsimin e lartë.

Nikolla, ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e Diasporës, Valon Murati, ku dakorduan në parim që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive ta procedojnë për nënshkrim marrëveshjen për unifikimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

Ministrja e Shqipërisë tha se është obligim i dy qeverive që tu mundësohet mësimi i gjuhës shqipe bashkatdhetarëve që jetojnë në Europë.

“Do t’ju mbështesim si Ministri e Diasporës në të gjitha përpjekjet tuaja që i ndërmerrni në të mirën e diasporës sonë. E kemi detyrim si Qeveri që t’u mundësojmë bashkatdhetarëve tanë mësimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe historisë ”, theksoi ministrja Nikolla në takimin me ministrin Murati.

Në anën tjetër, ministri Murati, përshëndeti gatishmërinë e ministres Nikolla për të nënshkruar këtë marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

“Ne, së bashku, do t’i diskutojmë edhe modalitetet e punës për mësimin plotësues në diasporë. Qasja ndaj gjeneratave të reja duhet të jetë më inovative, duke përfshirë edhe teknologjinë informative. Kjo marrëveshje do t’i sjellë dobi jo vetëm diasporës sonë, por edhe dy shteteve tona”, tha ministri Murati.

Murati-Nikolla