Kosova dhe Shqipëria bashkojnë forcat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, priti sot në një takim zyrtar Këshillin e Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, të udhëhequr nga kryetarja, Mirela Bogdani. Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy prokurorive, me fokus në shkëmbimin e përvojave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe koordinimin…

Lajme
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, priti sot në një takim zyrtar Këshillin e Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, të udhëhequr nga kryetarja, Mirela Bogdani.
Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy prokurorive, me fokus në shkëmbimin e përvojave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe koordinimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“U diskutua për kornizën ligjore të të dyja vendeve, metodologjinë e përcaktimit të normës, matjen e performancës dhe sfidat gjatë zbatimit”, thuhet në njoftim.
Kelmendi theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit në kohë reale, si dhe mbështetjen reciproke për procedurat që kanë të bëjnë me ndjekjen penale të veprave të rënda ndërkufitare.
Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, Mirela Bogdani, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet e drejtësisë së Kosovës, duke ritheksuar gatishmërinë për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Takimi përfundoi me zotimin e të dy palëve për intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të të dy vendeve.