Kosova dhe Hungaria forcojnë bashkëpunimin ekonomik
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami takoi ambasadorin e Hungarisë, Laszlo Markusz, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Lajme
Ministrja Bajrami vuri në pah se agjenda e Qeverisë së Kosovës është agjendë ekonomike, me qëllim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe për t’i mbështetur bizneset në krijimin e vendeve të reja të punës. Ajo e informoi ambasadorin hungarez për aktivitetet që po i zhvillon MTI-ja në përkrahje të bizneseve, përfshirë ndryshimet në politikat fiskale.
Në takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, si dhe për mundësitë e investimeve hungareze në Kosovë. Gjithashtu, u diskutua edhe për marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve që pritet të nënshkruhet së shpejti.
Ministrja Bajrami dhe ambasadori hungarez Markusz u pajtuan që pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të vazhdojnë negociatat edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve të huaja. /kosovapress/