Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruajnë marrëveshje bilaterale në fushën e ekonomisë

Republika e Kosovës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë organizuar Forum Ekomonik si dhe kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale.

Lajme

16/01/2019 15:13

Me iniciativën e dy ministrive të Punëve të Jashtme, asaj të Kosovës dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe në bashkëpunim me Federatën e Odave për Ekonomi dhe Industri të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Odës për Ekonomi dhe Industri, sot në qytetin Sharjah është organizuar forumi ekonomik ndërmjet dy vendeve, shkruan lajmi.net.

Gjatë Forumit të sotëm u theksua se takimet e tilla kanë për detyrë dhe synim avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, mundësitë të investimeve në dy vende, si dhe u vlerësua se ka mundësi të mëdha, akoma të pa shfrytëzuara për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Ministri për Zhvillimin  Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve, si dhe përfaqësuesit të institucioneve tjera kanë prezantuar mundësitë që ofron Kosova për investitorët potencial nga Emiratet.

Gjithashtu shef i stafit të kryeministrisë, Avni Arifi ka përcjellë përkushtimin e Qeverisë dhe vet kryeministrit, Ramush Haradinaj për të përkrahur investitorët me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit.

Zëvendësministrja Vuniqi ka folur për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, me theks në marrëdhëniet e dy vendeve dhe marrëveshjet e nënshkruara në fushën e ekonomisë, të cilat krijojnë mundësi të rritjes së bashkëpunimit dhe partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Ndërsa nga pala pritëse, ministri i Ekonomisë, Sultan Bin Saeed Al Mensouri dhe nënkryetari i Odës për Ekonomi dhe Industri të Sharjah, Waleed Abdul Rahmman kanë potencuar potencialet e dy shteteve të cilat mund të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Ministri Al Mansouri ka thënë që Emiratet e Bashkuara Arabe mund të shërbejnë si shembull i suksesit dhe në zhvillimin ekonomik dhe thithjen e investimeve të huaja edhe në Kosovë. Po ashtu ka thënë që Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë vende te mëdha por duke bashkuar fuqinë mund të bëjnë gjerat e mëdha. Ai theksoi se prioritet duhet t’i jepet sidomos fushës se Bujqësisë dhe prodhimeve ushqimore.

Gjatë forumit është nënshkruar edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës dhe Federatës së Odave për Ekonomi dhe Industri të Emirateve të Bashkuara Arabe. Po ashtu gjatë forumit bizneset e dy shteteve kanë realizuar takime dypalëshe si dhe kanë marrë pjesë në një drekë pune.

Pas mbylljes së Forumit, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës së bashku me përfaqësuesit e bizneseve kanë vizituar EXPO Sharjah. /Lajmi.net/