Kosova dënon sulmet e Iranit dhe kërkon rihapjen e sigurt të Ngushticës së Hormuzit
Zëvendëskryeministri dhe kryediplomati i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka marrë pjesë në një takim virtual të nivelit të lartë me mbi 40 ministra të jashtëm nga vende të ndryshme të botës, i organizuar nga Yvette Cooper, ku u diskutua për situatën në Ngushticën e Hormuzit. Duke folur për rëndësinë strategjike të kësaj zone, Konjufca…
Lajme
Zëvendëskryeministri dhe kryediplomati i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka marrë pjesë në një takim virtual të nivelit të lartë me mbi 40 ministra të jashtëm nga vende të ndryshme të botës, i organizuar nga Yvette Cooper, ku u diskutua për situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Duke folur për rëndësinë strategjike të kësaj zone, Konjufca theksoi se “liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe se koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk mund të përdoren si instrument presioni”. Ai shtoi se mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë “parime të panegociueshme”, transmeton lajmi.net.
Ministri dënoi sulmet e Iranit, duke theksuar se ato përbëjnë shkelje të rendit ndërkombëtar. “Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime”, u shpreh ai, duke rikonfirmuar njëkohësisht qëndrimin e vendit në përkrahje të partnerëve euroatlantikë.
Në vijim, Konjufca paralajmëroi për pasojat më të gjera që mund të kenë zhvillimet në këtë ngushticë, duke theksuar se “ndërprerjet në këto rrugë jetike nuk janë vetëm çështje rajonale, por prekin drejtpërdrejt ekonomitë dhe stabilitetin e shumë vendeve, përfshirë edhe vendin tonë”.
Ai shtoi se situata ndikon në zinxhirët globalë të furnizimit, në çmimet e energjisë dhe në sigurinë ekonomike në përgjithësi, duke nënvizuar se “veprimi ndërkombëtar është thelbësor për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike”.
Në fund, Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në mbështetje të aleatëve të saj, duke kërkuar që Ngushtica e Hormuzit të rihapet “sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt”./lajmi.net/