Kosova apo Turqia, kë e përkrahin qytetarët e Mamushës?
Në komunën e Mamushës, ndeshja historike e “play-off”-it po përjetohet me një përzierje unike krenarie dhe vëllazërie. Banorët e këtij komuniteti turk në Kosovë janë shprehur të ndarë në parashikime, por të bashkuar në mesazhin e tyre: “Kushdo që fiton, fiton vëllazëria”. Qytetarë si Sherif Salihollu dhe Lutfi Mazreku nuk e kanë fshehur dëshirën që…
Lajme
Në komunën e Mamushës, ndeshja historike e “play-off”-it po përjetohet me një përzierje unike krenarie dhe vëllazërie.
Banorët e këtij komuniteti turk në Kosovë janë shprehur të ndarë në parashikime, por të bashkuar në mesazhin e tyre: “Kushdo që fiton, fiton vëllazëria”.
Qytetarë si Sherif Salihollu dhe Lutfi Mazreku nuk e kanë fshehur dëshirën që Kosova të triumfojë, duke theksuar se ndonëse i përkasin kombit turk, ndihen krenarë që janë kosovarë dhe duan ta shohin flamurin dardan në skenën më të lartë botërore.
Për ta, fakti që Turqia e ka mbështetur sportin kosovar që në hapat e parë, e bën këtë përballje edhe më speciale, duke e cilësuar si një “festë miqësore” që i kalon kufijtë e një loje futbolli.
Nga ana tjetër, banorë si Ymer e Veli Mazreku kanë vënë në dukje se suksesi i Kosovës në Sllovaki i ka bërë të gjithë krenarë, pavarësisht etnisë.
“E kemi rininë dhe duam t’i tregojmë botës se kemi një popull të fortë në Ballkan”, u shprehën ata, duke insistuar se sonte nuk do të ketë humbës realë.
Edhe pse komuna nuk ka organizuar një manifestim zyrtar, ethet e ndeshjes ndihen në çdo cep, ku dashuria për të dyja ekipet është e barabartë.
Me mesazhin “dashni kemi edhe andej, edhe këndej”, Mamusha dëshmon se futbolli në Kosovë është bërë mjeti më i fuqishëm për të bashkuar njerëzit rreth një ëndrre të përbashkët: kualifikimit historik në Botëror./Kosovapress/