Kosova 2024/2025: Përdorimi i tokës bujqësore, eksportet dhe prodhimi, diku pati tkurrje të punimeve krahasuar me vitet paraprake

Sektori i bujqësisë në Kosovë ka vazhduar të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë gjatë vitit që kemi lënë pas dhe gjatë këtij viti, duke kontribuar në sigurimin e ushqimit për popullatën, si dhe në rritjen e eksportit të produkteve bujqësore. Sipas ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përdorimi i tokës bujqësore është…

Lajme

04/01/2026 23:01

Sektori i bujqësisë në Kosovë ka vazhduar të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë gjatë vitit që kemi lënë pas dhe gjatë këtij viti, duke kontribuar në sigurimin e ushqimit për popullatën, si dhe në rritjen e eksportit të produkteve bujqësore.

Sipas ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përdorimi i tokës bujqësore është relativisht i qëndrueshëm, megjithatë disa kategori kanë shënuar rënie, ndërsa të tjera kanë shënuar përfitime.

Sipërfaqja e tokës bujqësore dhe tokës djerrinë

Numri i hektarëve të tokës së punueshme – që përfshin arat, livadhet, kullosat, plantacionet dhe kopshtet – ka arritur 420,229 hektar, me një tkurrje të lehtë prej 0.11% krahasuar me vitin 2023.

Tokë e punueshme – ara: 188,795 hektar, duke shënuar rritje prej 360 hektar krahasuar me vitin paraprak, pra viti 2023.

Kopshte: 913 ha, rënie prej 14.09%.

Plantacione pemësh: 10,408 ha, rënie prej 1.97%.

Plantacione vreshtash: 3,406 ha, rënie prej 0.79%.

Fidanishte: 173 ha, rritje prej 7.7%.

Livadhe dhe kullosa: 216,534 ha, rënie prej 445 ha.

Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur për lajmi.net se tokë djerrinë e papunuar për vitin 2024 është regjistruar me 6,429.78 hektar, duke u rritur si pasojë e zvogëlimit të sipërfaqeve të perimeve, pemëve dhe vreshtave.

Fermerët dhe ekonomitë bujqësore

Nga regjistrimi i fundit i bujqësisë në Kosovë rezulton se vendi ka 130,775 ekonomi bujqësore, të cilat menaxhojnë mesatarisht 3.9 hektar tokë secila. Me këtë rast theksohet se shumica e këtyre ekonomive përdorin tokën për të siguruar ushqim për nevoja personale dhe për mbajtjen e kafshëve, duke e bërë sektorin bujqësor një komponent të rëndësishëm të ekonomisë së vendit.

Eksportet e produkteve bujqësore

Sipas Ministrisë, eksportet e produkteve bujqësore gjatë vitit 2024 arritën 170.8 milionë euro, duke shënuar rritje prej 15.4% krahasuar me vitin 2023. Shteti ka përfituar më së shumti nga eksporti i produkteve të pemëve dhe arroreve, i cili ka shënuar rritje prej 84%, si dhe nga përgatitjet e ndryshme të ngrënshme (+48%), mbetjet nga industritë ushqimore dhe ushqimi foragjer (+47%), produktet e drithërave dhe pastiçeri (+36%) dhe pijet, alkoolet dhe uthulla (+26%). Ministria për lajmi.net ka nënvizuar se pjesa më e madhe e këtyre produkteve shkon për tregjet e Bashkimit Evropian dhe të rajonit.

Kulturat më të mëdha dhe prodhimi

Kosova ka një klimë dhe terren të favorshëm për kultivimin e drithërave, pemëve dhe perimeve. E në vitin që kemi lënë pas:

Sipërfaqja e kultivuar me drithëra ishte 125,274 hektar, ose rreth 30% e tokës së shfrytëzuar.

Gruri mbulon 64% të sipërfaqes së drithërave, me rritje të lehtë prej 39 hektar,

Misri zë 32%, me rritje prej 804 hektar krahasuar me vitin paraprak.

Elbi, thekër, tërshëra dhe drithërat e tjera përbëjnë 4% të sipërfaqes.

Ministria për lajmi.net ka theksuar se kultivimi i këtyre kulturave jo vetëm që mbulon nevojat vendore, por edhe krijon mundësi për eksport, duke kontribuar në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto.

Sfidat dhe perspektivat

Megjithëse sektori i bujqësisë ka treguar performancë të mirë në disa fusha, Ministria për lajmi.net ka vënë në dukje se tkurrja e kopshtit, tokës së djerrinë dhe rënia e disa kulturave tregojnë nevojën për menaxhim më të mirë, investime në teknologji dhe përmirësim të kapaciteteve të fermerëve. Përmirësimi i produktivitetit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë mbeten prioritet për vitet e ardhshme.

Duhet theksuar se sektori i bujqësisë në Kosovë vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme ekonomike. Me sipërfaqe të punueshme që arrin mbi 420 mijë ha dhe eksport mbi 170 milionë euro, Ministria e Bujqësisë për lajmi.net thekson se viti 2024/ 2025 ka qenë i suksesshëm, megjithatë sfidat ekzistojnë dhe kërkojnë vëmendje për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen. /Lajmi.net/