Kosova 20 milionë euro në vit për shërbime shëndetësore jashtë vendit!

20 milionë euro është shuma e përafërt që shpenzojnë qytetarët tanë për shërbimet shëndetësore në vendet fqinje. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se nuk kanë të dhëna të sakta, sepse mungon raportimi i qytetarëve. Ndërsa ekspertë të ekonomisë thonë se kjo shumë e parave që nga Kosova derdhen në vendet fqinje, shkon në dëm të ekonomisë së vendit.

Lajme

10/05/2014 22:40

Rastet e pacientëve të cilët kërkojnë shërim jashtë vendit, janë të shpeshta, mirëpo ende nuk dihet saktë se sa pacientë brenda një vitit shkojnë për shërim jashtë vendit dhe sa para të qytetarëve tanë shpenzohen në vendet fqinje për shërbimet shëndetësore. 

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se nuk kanë të dhëna të sakta sepse qytetarët nuk raportojnë për familjarët që trajtohen jashtë vendit. 

\”Ne si Ministri e Shëndetësisë nuk i kemi të gjitha të dhënat dhe këto të dhëna do të na kishin shërbyer neve shumë e sidomos Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për identifikimin e sëmundjeve të ndryshme, mirëpo këtu është faji i familjarëve dhe pacienteve që nuk raportojnë që shërohen jashtë vendit. Mirëpo shuma e përafërt e cila shpenzohet jashtë Kosovës për shëndetësi është diku afër apo ndoshta edhe më e madhe se 20 milionë brenda vitit\”, ka theksuar Shemsi Veseli, zëvendësministër i Shëndetësisë. 

Ekspertë të Ekonomisë thonë se kjo shumë e parave e cila paguhet në vendet fqinje, është një dëm i madh për ekonominë e vendit tonë. 

\”Kosova vazhdon të jetë eksportues i madh i parave në botën e jashtme. Kosova si rezultat i importit të madh në vit eksporton rreth 2 miliardë euro duke përfshirë këtu parat e privatizimit, parat e kursimeve të pensioneve dhe  kjo e pamundëson investimin në sektorët më të ndjeshëm siç është arsimi dhe shëndetësia”, ka thënë Muhamet Mustafa, ekspert i ekonomisë. 

Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për shërim jashtë vendit është 3 milionë euro. Gjatë vitit  të kaluar kanë aplikuar 1400 pacientë për trajtim jashtë vendit, prej tyre vetëm 60% janë dërguar jashtë vendit për trajtim. (RTK)