KOSID: Me TC “Kosova e Re” rryma dyfish më shtrenjtë
Çmimi i energjisë elektrike gjatë procesit të ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe pas sa, do të jetë dyfish apo edhe më i lartë se çmimi i tashëm.

Lajme
Kështu kanë bërë të ditur përfaqësuesit e Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm KOSID, të cilët kundërshtojnë procesin e hapjes së tenderit të këtij termocentrali me vetëm një ofertues.
Sipas hulumtimeve të KOSID, të bëra për kompaninë që është i vetmi ofertues në këtë tenderi, del që çmimi i energjisë do jetë 80 euro për megavat, nga 32 euro, sa është tash.
Koordinatori i KOSID-it, Visar Azemi tha se kjo gjë do ta sjellë Kosovën në një rast edhe më social se që është momentalisht.
“Ne i kemi bërë disa hulumtime për kompaninë në fjalë dhe e kemi parë që në një projekt, me të cilin janë të angazhuar na Bullgari, çmimi i energjisë ka shkuar diku rreth 80 euro për një megavat. Ngjashëm kemi edhe deklaratën e drejtorit të Bankës Botërore të para disa ditëve, i cili tha se çmimi i energjisë pas ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re do të shkojë diku rreth 80 euro për një megavat, i cili është i ngjashëm ose përkon me çmimin që kompania e ka në Bullgari. Domosdoshmërisht, kjo do të ketë një impakt social, ne e dimë që akoma jemi duke u ballafaquar me problemet e mospasjes mundësi për ta paguar energjinë elektrike me këtë çmim që e kemi tani. Por, kur çmimi të rritet, si pasojë e këtij investimit të madh, do të shohim se pakënaqësitë sociale do të rriten në të njëjtën kohë”, tha Azemi.
Ai po ashtu ka thënë se KOSID e kundërshton fuqishëm këtë vendim, për shkak se është në kundërshtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, dhe po ashtu i bën thirrje këtij komuniteti që të mos shkojë më tutje për shkak të shkeljes së ligjeve.
Edhe Agron Demi, nga instituti GAP, ka thënë se ata e kundërshtojnë hapjen dhe dhënien e tenderit për “Kosova e Re” me vetëm një ofertues dhe se nuk dihet sa do të jetë shuma e investimit apo edhe numri i të punësuarve.
Por, për të ende më shqetësues është fakti që ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook e ka dhënë mendimin e tij për këtë tender ende pa e bërë Komiteti drejtues i projektit.
“Ajo që është thënë nga ish-kryeministri i Kosovës, përmes një postimi në Facebook, ky është shqetësim tjetër për shkak se ai ka intervenuar pikërisht në një proces profesional të përzgjedhjes, duke i dhënë mbështetje këtij procesi ende pa i dhënë mbështetje Komiteti drejtues i projektit, duke thënë se ky do të jetë një investim ku do të punësohen me mijëra njerëz në Kosovë. Dhe kjo nuk është e vërtetë, do të duhet të ju tregojmë qytetarëve se investimet në Kosovën e Re nuk do të jenë as miliardëshe dhe as nuk do të ketë mijëra të punësuar, madje do të ketë largim të punëtorëve, për shkak se një aktivitet i tillë nuk do të ketë më shumë se dhjetëra të punësuar shkaku i teknologjisë së përparuar. Pra, shqetësuese është që ish-kryeministri menjëherë është ngutur dhe ka dhënë verdiktin e tij ende pa dhënë Komiteti drejtues i projektit”, tha Demi.
Termocentrali Kosova e Re është një projekt i cili ka filluar të përflitet tetë vjet më parë dhe është bartur deri tash nga katër ministra. (KosovaPress).