Korrupsioni po e rrënon të ardhmen

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, deklaroi sot në Kuvend se abuzimi me pushtetin e me resurset e vendit, me taksat e qytetarëve, me buxhetin në përgjithësi si dhe marrëveshjet e fshehta dhe ryshfeti po vazhdojnë ta rrënojnë ardhmërinë e këtij vendi.

Lajme

05/12/2013 11:29

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetes së saj, Hykmete Bajrami, reagoi sot në Kuvend për rangimin e Kosovës në vendin 111 në Indeksin e perceptimit për korrupsionin të Transparency Internacional.

Deputetja Bajrami tha se indeksi i perceptimit të korrupsionit për vitin 2013 i lansuar nga Transparency Internacional konfirmon se në Kosovë abuzimi me pushtetin e me resurset e vendit, me taksat e qytetarëve, me buxhetin në përgjithësi si dhe marrëveshjet e fshehta dhe ryshfeti po vazhdojnë ta rrënojnë ardhmërinë e këtij vendi.

“Sipas Transparency Internacional, në këtë indeks, Kosova notohet si njëra ndër vendet me nivel më të lartë të korrupsionit, duke u renditur kështu në vendin e 111, në të njëjtin nivel si me vendet Tanzania, Etiopia dhe Siera Leone”.

“Një rangim i tillë tregon se kemi nivel alarmant të korrupsionit”.

“Ne nuk po kërkojmë të krahasohemi me Zelandën e Re apo Danimarkën ku korrupsioni është pothuajse zero. Po kërkojmë që së paku të ju afrohemi vendeve të rajonit, siç është për shembull Kroacia e cila gjendet 54 vende më lart nesh, për korrupsion të ulët”.

“Ajo çka është shqetësuese  është se konfirmimi i kësaj gjendje nga një organizatë kredibile po mbahet e heshtur nga ana e Qeverisë”.

“Është evidente se nuk ka vullnet politik për luftë kundër korrupsionit, institucionet e shumta de juro të thirrura për ta luftuar këtë dukuri, po bëjnë vetë korrupsion duke i lejuar atë që të ndodhë edhe para syve të tyre dhe brenda këtyre institucioneve”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë e shqetësuar për dënim që kjo Qeveri po i bën vendit”.

“Keqpërdorimet e taksave të qytetarëve, nepotizmi dhe krimi ekonomik, kontrabanda në masë të madhe kanë kontribuar në gjendjen të cilën janë katandisur sot qytetarët e Kosovës, ku gjysma prej tyre jetojnë në kufijtë e varfërisë”.

“Mungesa e rendit dhe ligjit, përdorimi i standardeve të dyfishta nga ana e institucioneve për qytetarët e Kosovës e ka zbehur shumë imazhin e Kosovës dhe është reflektuar në tkurrjen e investimeve të huaja direkte, aq shumë të nevojshme për zhvillimin e vendit tonë, dhe në tkurrjen e aktivitetit ekonomik në përgjithësi”.